“Kosova i është vjedhur Serbisë”/ Presidenti kroat sqaron deklaratën: Më keqkuptuat...
Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, tha se është keqkuptuar në deklaratat kur i dha të hënën se “Kosova i është rrëmbyer Serbisë nga bashkësia ndërkombëtare”.
Milanoviq në konferencë për media të mërkurën së bashku me presidenten e re sllovene Natasha Pirc Musar, ka sqaruar deklaratat e dhëna të hënën që ngjallën reagime të shumta.
“Serbia mbeti pa Kosovën, nuk e dha vullnetarisht, e humbi në luftë. Unë mund të kisha thënë ndryshe, se Serbia ka mbetur Kosovën, por supozoj se të gjithë jemi dakord se Kosova ishte pjesë e Serbisë”, ka thënë Milanoviq, raporton “Index.hr”.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Ai ka thënë se nuk ka pse të bindë askënd për angazhimin e tij për shqiptarët e Kosovës.
Milanoviq po ashtu ka thënë se Serbia duhet ta njohë Kosovën në njëfarë mënyrë dhe ka shtuar se me politikanët e Kosovës ka miqësi të mirë.
Sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe ai ka thënë se duhet të themelohet, pasi është nënshkruar dhe miratuar ajo.
Presidenti i Kroacisë, Milanoviq, po ashtu ka diskutuar për marrëdhëniet mes Serbisë dhe Rusisë.
“Rusia po provon diçka me Ukrainën dhe shembulli i Kosovës po i del si gjemb në sy. Rusia do të duhet ta njohë Kosovën në një moment ose të pretendojë se e njeh atë në mënyrë që të legalizojë atë që po bën në Ukrainë. Ky është realiteti. Situata në Ukrainë është fillimi i fundit të një romance në dukje serbo-ruse, nga e cila Serbia do të kuptojë se është një dashnore e mashtruar”, tha Milanoviq.