Hapet zyrtarisht fushata për zgjedhjet parlamentare në Kosovë

Kosovë&Rajon

Hapet zyrtarisht fushata për zgjedhjet parlamentare në Kosovë

Në Kosovë të shtunën u hap zyrtarisht fushata për zgjedhjet e reja parlamentare që do të mbahen me 9 shkurt. Njëzetetetë forca politike, prej të cilave 20 parti politike, pesë koalicione, dy lista qytetare dhe një kandidat i pavarur, do të përfshihen në një fushatë që analistët thonë se do të jetë e ashpër dhe me tone polarizuese.

Jam skeptik për një fushatë korrekte e cila do t’u tregonte qytetarëve të Kosovës se cilat janë alternativat dhe cilat janë temat më të rëndësishme për vendin në katër vitet e ardhshme të qeverisjes cilado që të jetë partia sepse unë mendoj që partitë politike që garojnë në zgjedhje duhet të prezantojnë programin e tyre qeverisës e jo të merren aq shumë me të kaluarën”, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës, njohësi i zhvillimeve politike, Rrahman Paçarizi.

Rrezarta Delibashzade Krasniqi nga koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në veprim”, që vëzhgon proceset zgjedhore në Kosovë, i tha Zërit të Amerikës se partitë politike deri tani kanë qenë të kujdesshme në publikimet e tyre por megjithatë ka një tendencë, më shumë nga qytetarët, për përdorim të gjuhës së urrejtjes posaçërisht në rrjetet sociale.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Kjo ndodhë kryesisht ndaj kandidateve gra në kuadër të disa subjekteve që kanë qenë më aktive në këtë periudhë me postimet e tyre mbi ngjarjet të cilat janë zhvilluar ditëve të fundit. Temat kryesore që kanë pasur më shumë diskutime në këtë drejtim kanë qenë korrupsioni, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë si dhe certifikimi i Listës Serbe. Pra për këto tri tema ka pasur më shumë përdorim të gjuhës së urrejtjes nga komentuesit e ndryshëm në rrjetet sociale”, thotë zonja Delibashzade Krasniqi.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit marrin pjesë gjashtë subjekte politike nga radhët e komunitetit serb, përfshirë Listën Serbe parti kjo e themeluar dhe mbështetur nga Beogradi.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa hodhi poshtë të enjten si të palejuar ankesën e lëvizjes Vetëvendosje ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për certifikimin e Listës Serbe, që është kundërshtuar nga kjo lëvizje për shkak se siç thuhet, kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës.

Zoti Paçarizi thotë se qasja e partive politike shqiptare kundruall situatës me certifikimin e Listës Serbe ishte e gabuar duke theksuar se kjo ka pamundësuar demonopolizimin e Listës Serbe dhe krijimin e hapësirës për parti të reja nga komuniteti serb që kanë qasje më integruese.

Cilado që të jetë qeveria e re në Kosovë, ajo pritet të përballet me sfida të vjetra si kërkesat perëndimore për zbatimin e detyrimeve nga marrëveshjet e Brukselit me Serbinë. Megjithatë analistët vlerësojnë se qeverisja e ardhshme duhet të përqendrohet më shumë te problemet e brendshme të Kosovës.

Sipas Komisionit Qendror i Zgjedhjeve në zgjedhjet e 9 shkurtit të drejtë vote kanë dy milionë votues, prej të cilëve rreth 105 mijë qytetarë jashtë Kosovës./VOA

ME TE LEXUARAT