Deklarata e Macron për Kosovën, KE: Një shtet i vetëm nuk pezullon dot regjimin pa viza

Kosovë&Rajon

Deklarata e Macron për Kosovën, KE: Një shtet i vetëm nuk

Komisioni Europian nuk pranon të bëjë komente mbi deklaratën e bërë nga presidenti francez Emmanuel Macron gjatë vizitës së tij në Tiranë, e megjithatë thekson se regjimi pa viza për Kosovën do të hyjë në fuqi në fillim të vitit që vjen.
“Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024 dhe do t’i lejojë ata që të udhëtojnë brenda hapësirës së Bashkimit Europian për 90 ditë.”

Është kjo e përgjigja e dhënë nga zëdhënësja e Komisionit Europian për Punët e Brendshme, Anitta Hiper pasi u pyet nga A2 CNN, nëse Franca ka propozuar pezullimin e liberalizimit të vizave të Kosovës.

Përpos kësaj, në përgjigjen e tij, Komisioni Europian sqaron se një shtet i vetëm nuk mund të vendosë që të pezullojnë një regjim të lëvizjes pa viza pasi ky i fundit është vendosur.
Vendime të tilla, siç sqaron KE për A2 CNN, mund të merren vetëm në nivel të BE-së, duke u bazuar në rregullat e unionit për dhënien apo pezullimin e regjimeve pa viza.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Kujtojmë se një deklaratë e bërë nga shefi i Elizesë në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Edi Rama shkaktoi jo pak debate në Shqipëri dhe në Kosovë.

“Ne u kemi besuar për çështjen e vizave. Çështja është pezulluar nga ana e Francës sepse ka të bëjë me respektin e fjalës së dhënë dhe fjala nuk po mbahet. Pres që të angazhohen të dyja palët që të ecim përpara në javët e ardhshme. Është kusht i paqes në të gjithë zonën”, u shpreh Macron.

Ishin këto fjali të presidentit francez të cilat u interpretuan në mënyra të ndryshme, e megjithatë, KE shprehet i qartë në përgjigjen e tij se regjimi i lëvizjes pa viza për Kosovën mbetet i paprekur.

Deklarata e plotë:


Ne jemi në kontakt me të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Euopian dhe nuk bëjmë komente mbi komentet. Në prill 2023, Parlamenti Europian dhe Këshilli adoptuan rregulloren 2023/850 të (BE), duke u hequr mbajtësve të Pasaportës së Kosovës, regjimin e vizave.

Liberalizimi i vizave për shtetasit e Kosovës do të hyjë në fuqi në 1 janar të vitit 2024. Do t’ u lejojë qytetarëve të Kosovës që të udhëtojnë në hapësirën e Bashkimit Europian pa viza për 90 ditë në çdo periudhë kohore prej 18 ditësh.

Komisioni ka vlerësuar që nga korriku 2018 se Kosova i përmbush të gjitha standardet e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave. Kosova ka punuar vazhdimisht për të përmbushur standardet.

Shtete të veçanta anëtare nuk mund të vendosin të pezullojnë një regjim pa viza. Rregullat në lidhje me dhënien, pezullimin ose përfundimin e përjashtimeve të vizave janë plotësisht të harmonizuara në nivel të BE-së dhe kërkojnë vendime në nivel të BE-së.

ME TE LEXUARAT