Verma: Sanksionet ndaj NIS-it nuk janë të drejtuara kundër Serbisë, por Rusisë
Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, Richard R. Verma tha të shtunën se sanksionet ndaj industrisë së naftës nuk janë drejtuar ndaj Serbisë por kundër Rusisë.
Ai i bëri këto komente gjatë vizitës në Beograd një ditë pasi Shtetet e Bashkuara përfshinë Industrinë Naftës së Serbisë në paketën e sanksioneve ndaj prodhuesve kryesorë rusë të naftës, Gazprom Neft dhe Surgutneftegas.
“Ato janë të drejtuar kundër Rusisë, jo Serbisë. NIS (Industria e Naftës e Serbisë) është një nga dy mijë kompanitë e mbuluara nga sanksionet që synojnë heqjen e pronësisë ruse”, tha ai duke nënvizuar se nuk do të ketë pasoja për Serbinë nëse hiqet pronësia ruse.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
“Është e qartë se Rusia nuk po investon në të ardhmen e Serbisë, sepse fitimet që ajo realizon nga Industria e Naftës e Serbisë nuk investohen në Serbi. Largimi i kapitalit rus, do të kontribuojë për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon”, tha zoti Verma, sipas një përkthimi të zyrës së Presidentit serb Aleksandar Vuçiç.
Industria e Naftës e Serbisë (NIS), mbi 56 për qind të aksioneve të së cilës u takojnë kompanive ruse Gazprom Neft dhe Gazprom, është furnizuesja e vetme e Serbisë me gaz dhe pronarja e të dy tubacioneve që transportojnë gaz nga Rusia për në Serbi.
Sanksioneve, të cilat Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, i kishte paralajmëruar që më 13 dhjetor të vitit që lamë pas u është bashkuara edhe Britania e Madhe.
Presidenti serb tha se deklarimet që Serbia nuk ishte objektivi i sanksioneve, nuk është farë ngushëllimi.
“Rreth 30 vende, sipas llogaritjeve fillestare, janë prekur në mënyra të ndryshme nga këto sanksione ose subjekte nga ato vende. Por, kudo ka të bëjë me pasuritë, kapitalin dhe interesat ruse”, tha ai.
Presidenti serb tha se ka shumë paqartësi lidhur me sanksionet.
"Së pari duhet të kalojmë të paktën shtatë deri në 10 ditë të tjera duke biseduar me amerikanët, për të parë saktësisht se çfarë përmban e gjithë paketa e sanksioneve, në mënyrë që të mund t'u drejtohemi rusëve dhe më pas të flasim me ta për atë që duhet të bëjmë”, tha zoti Vuçiç.
Presidenti serb tha të premten se Shtetet e Bashkuara kërkojnë “tërheqjen e plotë të kapitalit dhe interesave ruse” nga Industria serbe e Naftës, transformimi i pronësisë duhet të përfundojë brenda 45 ditësh dhe duhet të miratohet nga Shtetet e Bashkuara./VOA