Ukraina anëtarësim i shpejtë në NATO? Stoltenberg: Vendimi u takon 30 shteteve anëtare

Bota

Ukraina anëtarësim i shpejtë në NATO? Stoltenberg: Vendimi u

Menjëherë pasi Vladimir Putin shpalli aneksimin e 4 rajoneve të pushtuara të Ukrainës, presidenti Volodimir Zelensky dorëzoi kërkesën për anëtarësim të përshpejtuar në aleancën ushtarake të NATO.

Ai tha se Kievi prej kohësh kishte qenë anëtar de faktor i bllokut të sigurisë ndërsa u zotua se do të çlirojë të gjitha territoret e pushtuara nga Rusia, përfshirë gadishullin e Krimesë.  

Megjithatë shefi i NATO, Jens Stoltenberg i kujtoi Ukrainës se vendimi për t’u anëtarësuar ishte në dorën e 30 shteteve anëtare.

“Aleatët e NATO, kur u takuan në samitin e Madridit e bënë të qartë se mbështesin të drejtën e Ukrainës për të zgjedhur rrugën e vet. Por vendimi për anëtarësimin duhet të merret me konsensus nga 30 anëtarët’, tha Stoltenberg.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Sakaq një rezolutë e prezantuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria në Këshillin e Sigurimit të OKB, e cila dënon shpalljen e paligjshme të aneksimit të rajoneve ukrainase, u rrëzua pas vetos së Rusisë.

Në një votim pasditen e së premtes, 10 shtete, përfshirë SHBA dhe Britaninë votuan në favor, ndërsa Kina, Gaboni, India dhe Brazili abstenuan. Rusia ishte I vetmi vend që votoi kundër rezolutës.  

“Votimi i sotëm tregoi edhe një herë se Rusia mbetet e izoluar në veprimet dhe qëndrimet e saj.

Votimi i sotëm tregoi se Rusia nuk e ka dashur kurrë paqen e as dialogun.

E vetmja gjë që donte ishte përvetësimi i territorit të Ukrainës. Ne nuk do të pranojmë dhe nuk do të njohim asnjë nga pasojat e veprimve të Rusisë në Ukrainë”, tha zv/ambasadorja Albana Dautllari.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët njoftuan sanksione të reja ndaj individëve dhe entiteteve brenda dhe jashtë Rusisë.

Uashingtoni shtoi në listën e sanksioneve Guvernatoren e Bankës Qendrore ruse, Elvira Sakhipzadovna Nabiullina, e cila ka qenë edhe këshilltare e presidentit rus Vladimir Putin; familjet e kryeministrit rus Mishustin dhe ministrit të Mbrojtjes Shoigu; 109 deputetë; Këshillin e Federatës së Asamblesë Federale të Rusisë dhe 169 anëtarë të saj. 

ME TE LEXUARAT