Po përpiqej të gjente punë e të linte botën e krimit, policia arreston në Spanjë bosin e kokainës

Bota

Po përpiqej të gjente punë e të linte botën e krimit,

Një bos i mafias italiane, i akuzuar si një prej drejtuesve të tregtisë së kokainës në Romë, u arrestua në një qendër punësimi në Spanjë, gjatë kohës që po përpiqej të linte pas të shkuarën e tij kriminale dhe të gjente punë të ligjshme. Giuseppe Refrigeri thuhet se ishte një prej liderëve të bandës kriminale Banda della Marranella, për të cilën policia thotë ka monopolin e tregtisë së drogës në kryeqytetin italian.

Policia spanjolle tha të premten se 66-vjeçari u arrestua në qendrën e punësimit në resortin Costa del Sol të Estepona, gjatë kohës që po kërkonte një punë. Refrigeri përballet tashmë me ekstradimin drejt Italisë, ku akuzohet për tentativën e trafikimit të 325 kilogramëve hashash në 2018-n. Pasi droga u konstatua fillimisht në Francë, një gjykatë në Romë lëshoi ​​urdhërarrest ndërkombëtar për Refrigeri-n, për të cilin policia besonte se fshihej në Costa del Sol.

Po në 2018-n ai u arrestua në Spanjë, për akuzën e trafikut të drogës dhe si pjesëtar i një organizate kriminale. Refrigeri akuzohej se e organizonte trafikun e drogës drejt Italisë nga shtëpia e tij në Costa del Sol. Pas 2 viteve në burg në Spanjë, ai u la i lirë, për t’u arrestuar sërish javën që lamë pas. Policia e bëri publik lajmin vetëm këtë të premte.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.



Garda Civile e Spanjës tha se Refrigeri nuk jetonte më në një vilë luksoze si më parë dhe se tashmë banonte në një shtëpi më modeste. Në përpjekje për të lënë pas jetën kriminale, ai ishte regjistruar si shtetas i huaj tek autoritetet dhe shkonte shpesh nëpër qendra pune në Estepona.

Në vitin 2018, në një operacion të koduar Maverick II, Refrigeri u arrestua së bashku me 13 persona të tjerë. Oficerët sekuestruan 500 kilogramë hashash, 6 makina luksoze dhe një automjet të përshtatur për të transportuar drogën nga Spanja drejt Italisë. Në kohën kur ai u arrestua, policia spanjolle po punonte me karabinierët.

Ndërkohë në Itali, policia arrestoi 42 anëtarë të dyshuar të Banda della Marranella në 2018 dhe sekuestroi të mira materiale që kapnin vlerën e 2 milionë eurove.

Ky grup kriminal punonte me trafikantë droge britanikë në Costa del Sol, në mënyrë që të siguronte hashashin nga Spanja për ta dërguar më pas në Itali.

Policia tha se banda përdorte dhunë ekstreme për të vjedhur drogën nga bandat e tjera. Dy italianë, të cilët ishin anëtarë të një bande tjetër, u rrëmbyen dhe u torturuan për 24 orë, në përpjekje për të gjetur vendndodhjen e një sasie droge. Droga shkonte në Itali nëpërmjet transportuesve që hiqeshin si turistë.

ME TE LEXUARAT