Një krizë e re masive po prek Greqinë, ja për cfarë bëhet fjalë
Kërkesat e shumta për banesa në Greqi vazhdojnë të rrisin çmimet e pronave dhe të apartamenteve në tremujorin e dytë të 2024-ës me 9.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Po ashtu çmimet për apartamentet e reja, deri në pesë vjet, janë rritur në këtë periudhë me 10,7%, ndërsa për të vjetrat me 8,3%.
Kryeson në rritjen e çmimeve për banesa me 12.1% qyteti i Selanikut dhe pason Athina me 9.1% në tremujorin e dytë të 2024 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Ndërsa ka të paktën 7 vite që tregu i pasurive të paluajtshme po rimëkëmbet , ristartimi i ekonomisë pas pandemisë, së bashku me rritjen eksponenciale të qiradhënies afatshkurtër (efekti AirBnB) në Athinë, Selanik dhe një sërë destinacionesh pushimesh, si dhe programi shumë i suksesshëm i “vizave të arta” që lejonte shtetasit e huaj që donin leje qëndrimi ,me kusht blerjen e pronave, ka reduktuar në mënyrë dramatike njësitë e disponueshme për qira afatgjatë sidomos në dy qytetet më të mëdha të vendit, duke sjellë njëkohësisht edhe rritje të çmimeve.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Qeveria Mitsotakis deklaroi disa ditë më parë se do të rrisë taksat për qiratë afatshkurtra dhe do ndalojë dhënien e licencave të reja për banesat AIRBNB në qendër të Athinës dhe Selanikut.
Ashtu si edhe në disa vende të BE , pagat e ulëta, mungesa e banesave, qiratë e pushimeve afatshkurtra tek shtëpitë Airbnb dhe inflacioni i lartë kanë nxitur një krizë strehimi në Greqi ,në një moment kur vendi po rikuperohet nga kriza gati dhjetëvjeçare e borxhit, dhe shtresat që janë goditur rëndë janë ato me të ardhura të ulëta, çiftet e rinj dhe studentët.
Greqia ka shpenzuar deri tani 2.2 miliardë euro për të subvencionuar kredi të buta për këto dy kategori dhe ka caktuar një shumë shtesë prej 2.4 miliardë euro, gjysma e tyre nga financimi i BE-së, për të shtrirë planin në më shumë se 20 mijë të rinj dhe çifte deri në 50 vjeç.
Por nga ana tjetër një rritje e re në vlerat e taksave për t’iu përshtatur niveleve aktuale të tregut ka të ngjarë të shkaktojë një rritje të mëtejshme të çmimeve të pasurive të paluajtshme, duke përkeqësuar edhe më shumë problemin tashmë të rëndë të strehimit.
Ndaj qeveria greke po vlerëson ngrirjen e vlerave të taksës së pronës për të paktën edhe një vit./tch