Nga urdhër-arresti për Netanyahun te pezullimi nga detyra, Karim Khan në qendër të një skandali seksual

Bota

Nga urdhër-arresti për Netanyahun te pezullimi nga detyra, Karim Khan

Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan, është pezulluar nga detyra me efekt të menjëhershëm, pasi ndaj tij janë ngritur akuza për sjellje të pahijshme seksuale ndaj një anëtareje të stafit.

Vendimi u mor nga Asambleja e Shteteve Anëtare të GJND-së, pas rekomandimit të organit mbikëqyrës të gjykatës për nisjen e procedurave disiplinore. Çështja, e cila ka qenë nën shqyrtim për më shumë se dy vjet, konsiderohet një nga rastet më të ndjeshme dhe të paprecedenta në historinë e institucionit.

Sipas raportimeve, hetimi i zhvilluar nën kujdesin e OKB-së ka identifikuar elementë që mbështesin akuzat e ngritura ndaj Khan. Megjithatë, një panel i posaçëm gjyqtarësh ka theksuar se hetimi nuk mund të konsiderohet ende përfundimtar, ndërsa vetë Khan vazhdon të mohojë kategorikisht çdo akuzë.

Për shkak të situatës së krijuar, Asambleja e Shteteve Anëtare u detyrua të shqyrtojë procedura të reja për trajtimin e rasteve të tilla, duke e cilësuar situatën si një sfidë institucionale për funksionimin e gjykatës.

Polemikat rreth Khan vijnë në një moment të tensionuar politik për Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Emri i tij u bë objekt debatesh globale pasi kërkoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime të dyshuara lufte në Gaza. Pas këtij vendimi, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj tij, duke e vendosur kryeprokurorin në qendër të përplasjes ndërkombëtare.

Ndërsa hetimet vazhdojnë, e ardhmja e Karim Khan në krye të prokurorisë së GJND-së mbetet e paqartë dhe do të varet nga vendimi përfundimtar i institucioneve përgjegjëse.

ME TE LEXUARAT