Ministri turk akuzon SHBA-të për sulmin në Mersin
Ministri i Brendshëm i Turqisë e cilësoi të shtunën një sulm me armë që la të vrarë një polic në jug të vendit, si një operacion “që e ka zanafillën në Amerikë”.
Dy militante të dyshuara kurde hapën zjarr mbi banesat e forcave të sigurisë në provincën mesdhetare të Mersinit të hënën vonë, duke vrarë një polic dhe plagosur një punonjës rendi dhe një civil.
Dy gra, të cilat autoritetet turke thanë se ishin të lidhura me Partinë e jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit, shkurtimisht PKK, më pas u vetvranë, duke shpërthyer bomba.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
“Ky është një veprim me origjinë në Amerikë”, tha Ministri i Brendshëm Suleyman Soylu gjatë një takimi me zyrtarë të partisë në pushtet në provincën e Giresunit të Detit të Zi, sipas agjencisë private të lajmeve Demiroren dhe mediave të tjera.
Ministri Soylu tha gjithashtu se, autoritetet amerikane kishin kërkuar nga policia turke numrat e serisë së armëve të zjarrit të përdorura në sulm, pa specifikuar se cila agjenci amerikane e kishte bërë kërkesën.
Zyrtarët e qeverisë turke e kanë akuzuar më parë Uashingtonin për mbështetjen e PKK-së, duke armatosur dhe stërvitur degën siriane të grupit, të njohur si YPG.
Dhjetëra mijëra njerëz janë vrarë në konfliktin 38-vjeçar mes PKK-së dhe shtetit turk. PKK-ja cilësohet si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian. SHBA nuk e njeh YPG-në si një entitet terrorist. Ky grup ka kontribuar në luftën kundër grupit të Shtetit Islamik në Siri.
Vitin e kaluar zoti Soylu ngriti pretendime lidhur me përfshirjen amerikane në një përpjekje të dështuar për grusht shteti në Turqi në vitin 2016, ku humbën jetën më shumë se 250 njerëz.
Në vitin 2018 Shtetet e Bashkuara vunë sanksione ndaj zotit Soylu lidhur me arrestimin dhe ndalimin e pastorit amerikan Andrew Brunson.
Ministri turk tha se sulmueset e së hënës, që kishin vënë në objektiv strehimin e personelit të sigurisë në lagjen Mezitli të Mersinit, kishin mbërritur në Turqi me parashutë të motorizuar nga qyteti sirian Manbij i kontrolluar nga grupi YPG./zeri i amerikes