Manchester në alarm: Vajza 14-vjeçare plagos me thikë dy nxënës dhe një mësues

Bota

Manchester në alarm: Vajza 14-vjeçare plagos me thikë dy

Një ngjarje e rëndë ka tronditur një shkollë në veri të Manchesterit, ku dy nxënës dhe një mësues mbetën të plagosur pas një sulmi me thikë të ndodhur gjatë mëngjesit të së martës.

Sipas policisë së Manchesterit të Madh, shërbimet emergjente u thirrën në shkollën Co-op Academy në zonën e Blackley-t, pasi institucioni u vendos menjëherë në regjim izolimi (lockdown).

Autoritetet bëjnë me dije se një vajzë 14-vjeçare dyshohet se sulmoi me thikë një tjetër vajzë 14-vjeçare, e cila mori plagë në shpatull, një djalë 14-vjeçar që u plagos në vesh, si dhe një mësues 27-vjeçar, i cili u godit në qafë.

Manchester në alarm: Vajza 14-vjeçare plagos me thikë dy

Të tre të lënduarit u transportuan në spital dhe, sipas mjekëve, ndodhen në gjendje të qëndrueshme, ndërsa plagët e marra nuk konsiderohen serioze.

Policia arrestoi menjëherë vajzën e dyshuar, ndërsa theksoi se nuk ekziston asnjë kërcënim i mëtejshëm për komunitetin apo shkollën.

Inspektori Jon Shilvock deklaroi se stafi i shkollës reagoi me shpejtësi dhe profesionalizëm, duke neutralizuar situatën përpara mbërritjes së forcave të rendit.

“Incidenti u menaxhua me shpejtësi nga stafi i shkollës, i cili arriti të ndalonte vajzën përpara se të mbërrinin oficerët tanë. Nuk po kërkojmë persona të tjerë në lidhje me këtë ngjarje,” tha ai.

Drejtori i shkollës, Phill Quirk, u dërgoi një mesazh prindërve duke i siguruar se situata është vënë nën kontroll dhe se të gjithë nxënësit janë të sigurt.

Nga ana tjetër, Co-op Academies Trust, organizata që administron shkollën, vlerësoi reagimin e stafit dhe nxënësve gjatë incidentit, duke njoftuar se shkolla do të rihapet normalisht të mërkurën dhe se do të ofrohet mbështetje psikologjike për të gjithë të prekurit.

Fotot nga vendngjarja treguan një prani të madhe të policisë dhe shërbimeve emergjente, ndërsa një helikopter policie patrullonte mbi zonë gjatë operacionit.

ME TE LEXUARAT