“Jo në kufi me Kosovën”/ Shefi i NATO-s ‘presion’ Serbisë për ushtrinë, reagon Vuçiç: Vendosim vetë!
Turneu ballkanik i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg vazhdoi këtë të martë në Beograd ku i deklaroi presidentit serb se grumbullimi i forcave të ushtrisë së tij në afërsi të kufirit me Kosovën nuk ndihmon aspak në qetësimin e situatës së tensionuar mes dy vendeve.
Ai kërkoi nga palët të përmbahen nga përshkallëzimi i veprimeve. Por presidenti serb, Aleksandar Vuçiç u përgjigj se ushtria serbe “kurrë nuk i ka tejkaluar të drejtat dhe kompetencat e saj”. “Ku dhe si do ta vendosim ushtrinë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, pa rrezikuar askënd, kjo është puna jonë”, tha ai.
Në konferencën për shtyp shefi Nato-s kërkoi që autorët e sulmit në Banjskë duhet të dalin para drejtësisë dhe se mirëpret dhe mbështet formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Ky do të ishte çelësi i normalizimit të marrëdhënieve tha ai duke u bërë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialog me ndërmjetësimin e BE-së, si e vetmja rrugë drejt paqes dhe stabilitetit sipas tij.
Stoltenberg shkoi në Beograd pas një vizitës në Prishtinë, ku deklaroi se aleanca po e shqyrton mundësinë për një shtim të pranisë së saj ushtarake në Kosovë.