Sulme ajrore në Gazë dhe Liban/ SHBA-të nuk do të ndërpresin ndihmat për Izraelin
Sulmet ajrore izraelite vranë të paktën 46 persona në Rripin e Gazës në 24 orët e fundit, përfshirë 11 në një kafene të improvizuar në një pjesë të shpallur zonë humanitare nga Izraeli, thanë mjekët.
Në Liban, avionë luftarakë goditën të martën periferitë jugore të Bejrutit dhe vranë 33 persona në pjesë të tjera të vendit.
Bombardimet e fundit erdhën pasi Shtetet e Bashkuara thanë se nuk do të reduktonin mbështetjen e tyre ushtarake për Izraelin pas kalimit të një afati për lejimin e më shumë ndihmave humanitare në Gazë. Departamenti i Shtetit përmendi disa përparime, edhe pse grupet ndërkombëtare të ndihmave thanë se Izraeli nuk kishte arritur të përmbushte kërkesat e Shteteve të Bashkuara.
Në Liban, shpërthime të mëdha tronditën periferitë jugore të Bejrutit – një zonë e njohur si Dahiyeh, ku organizata Hezbollah ka një prani të konsiderueshme – menjëherë pasi ushtria izraelite lëshoi paralajmërime evakuimi për 11 shtëpi të zonës.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Nuk pati të dhëna të menjëhershme për viktima. Ushtria izraelite tha se kishte në objektiv infrastrukturën e Hezbollahut, përfshirë qendrat e komandës dhe vendet e prodhimit të armëve, por nuk ofroi prova për këtë.
Një tjetër sulm izraelit në një ndërtesë apartamentesh në lindje të Bejrutit vrau të paktën gjashtë persona. Banori Wael Murtada tha se shtëpia e shkatërruar i përkiste xhaxhait të tij dhe se ata që ishin brenda kishin ikur nga Dahiyehu muajin e kaluar. Ai tha se tre fëmijë ishin në mesin e të vdekurve dhe njerëz të tjerë ishin të zhdukur.
Një sulm ajror izraelit në një ndërtesë banimi në Libanin qendror vrau 15 persona, përfshirë tetë gra dhe katër fëmijë dhe plagosi të paktën 12 të tjerë, tha Ministria e Shëndetësisë e Libanit. Goditjet u bënë pa paralajmërim dhe media shtetërore tha se ndërtesa po strehonte familjet e zhvendosura.
Në lagjen Dahiyeh, të Bejrutit (12 nëntor 2024)
Izraeli ka intensifikuar goditjet ajrore ndaj Libanit që nga fundi i shtatorit, duke u zotuar se do ta dëmtojë rëndë Hezbollahun dhe do t’i japë fund sulmeve ndërkufitare që prej një viti nga grupi militant libanez.
Një raketë shpërtheu në një ndërtesë magazinimi në qytetin verior izraelit Nahariya të martën, duke vrarë dy persona, thanë ekipet e emergjencave. Dy persona të tjerë u plagosën nga një shpërthim tjetër jashtë qytetit.
Një dron i Hezbollahut u rrëzua mbi një çerdhe pranë qytetit verior izraelit të Haifës të martën në mëngjes, por fëmijët ishin brenda një strehimi të nëndheshëm dhe nuk pati të lënduar. Shpërthimi shpërndau mbetje në mbarë këndin e lojërave.
Sulmet izraelite në mbarë Gazën vrasin 46 persona
Në të njëjtën kohë, Izraeli ka vazhduar fushatën e tij në Gazë, tashmë më shumë se 13-mujore, e shkaktuar nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 në Izraelin jugor.
Një sulm izraelit të hënën vonë goditi një kafene të improvizuar të përdorur nga njerëzit e zhvendosur në Muwasi, qendra e një “zone humanitare” që ushtria izraelite e shpalli më herët gjatë luftës.
Të paktën 11 persona u vranë, përfshirë dy fëmijë, sipas zyrtarëve në Spitalin Nasser, ku u dërguan viktimat. Videot nga vendi i ngjarjes tregonin burra që tërhiqnin të plagosur të përgjakur nga tavolinat dhe karriget e vendosura në rërë brenda një gardhi me fletë metalike.
Një sulm në një shtëpi në qytetin verior Beit Hanoun vrau 15 persona të martën, përfshirë të afërmit e gazetarit të Al Jazeeras, Hossam Shabat, i cili ka raportuar nga veriu i Gazës.
Mohamed Shabat dhe gruaja e tij Dima, të dy mjekë vullnetarë në spitalin Kamal Adwan, u vranë së bashku me vajzën e tyre Eliaa, sipas drejtorit të spitalit Hossam Abu Safiya.
Sulmet në Gazën qendrore dhe jugore vranë 20 persona të tjerë, sipas zyrtarëve palestinezë të mjekësisë.
Ushtria izraelite nuk pati koment të menjëhershëm mbi sulmet.
Nën trysninë e SHBA-së, Izraeli lejon më shumë ndihma drejt Gazës
Disa orë më herët, ushtria izraelite njoftoi një zgjerim të vogël të zonës humanitare, ku u ka thënë të strehohen palestinezëve të evakuuar nga pjesë të tjera të Gazës. Qindra mijëra persona janë strehuar në kampe tendash të përhapura brenda dhe përreth Muwasit, një zonë e shkretë me shërbime të pakta publike.
Forcat izraelite kanë rrethuar gjithashtu pjesën më veriore të Gazës që nga fillimi i tetorit, duke luftuar me luftëtarët e Hamasit që thotë se janë riorganizuar atje.