Zjarr i madh në afërsi të Aeroportit të Prishtinës, digjen 20 automjete
Një zjarr i madh ka rënë pak pas mesnatës në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Sipas mediave vendase mësohet se zjarri ka shpërthyer rreth orës 01:00 në një lokal afërsisht në rrugën e Aeroportit. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të forcave të zjarrfikëses, flakët u përhapën me shpejtësi duke djegur kështu edhe 20 automjete.
“Informata është pranuar rreth orës 01:15 për zjarr në një lokal afarist në rrugën e Aeroportit në Go Karting. Në vendngjarje lokali në fjalë kishte dy pjesë, pjesa e marketit dhe pjesa e garazheve për karting e cila ishte përfshirë e tëra në flakë”, ka thënë shefi i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Mali Gashi, deklaratë e cila më pas është pasuar nga ajo e zëdhënës së Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila bëri me dije se nga zjarri janë djegur 20 automjete të cilat ishin të parkuara si dhe ka mbetur i plagosur një person.
“Sot rreth orës 01:30, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në afërsi të Aeroportit të Prishtinës. Nga zjarri janë përfshirë 20 vetura të parkuara dhe një objekt biznesi. Në këtë rast është lënduar një person dhe janë shkaktuar dëme materiale”, ka deklaruar Ahmeti, duke theksuar më tej se personi i cili mbeti i plagosur është transportuar në spital ku dhe po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.