Zhdukja e Eglant Koçit në Tiranë, ky është autori i dyshuar Armand Shakaj (FOTO)

Teksa vijojnë kërkimet për zbardhjen e fatit të 34-vjeçarit Eglant Koçi, i zhdukur që prej 4 qershorit në Tiranë, është publikuar edhe fotoja e Armand Shakajt, personit të shpallur në kërkim si autor i dyshuar i rrëmbimit të tij.

Policia ka arrestuar Enea Zyferin, ndërsa 41-vjeçari Armand Shakaj vijon të kërkohet nga autoritetet. Sipas hetimeve paraprake, ai dyshohet se ka marrë peng dhe më pas ka transportuar 34-vjeçarin me automjet.
Gjatë hetimeve, blutë e kryeqytetit kanë gjetur motomjetin e Eglant Koçit dhe kanë kryer kontrolle në ambientin ku ai dyshohet se ka hyrë për herë të fundit. Sipas policisë, nga i njëjti ambient ka dalë më pas autori i dyshuar, i cili mund ta ketë marrë me vete të riun.
Veprimet hetimore kanë zbuluar gjithashtu se motomjeti i Koçit është lëvizur nga vendi ku ishte parkuar fillimisht, ndërsa automjeti që dyshohet se është përdorur për transportimin e tij është gjetur dhe sekuestruar si provë materiale.
Policia e Tiranës bën me dije se operacioni për gjetjen e Eglant Koçit dhe kapjen e Armand Shakajt vijon me intensitet, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.


