Zelensky: Dy ushtarë të Koresë së Veriut që luftonin për Rusinë u kapën në rajonin e Kurskut
Hetuesit ukrainas janë duke marrë në pyetje dy ushtarë nga Koreja e Veriut, të cilët u zunë nga forcat ukrainase në rajonin Kursk të Rusisë, tha të shtunën presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
“Këta janë dy ushtarë që, megjithëse të plagosur, mbijetuan dhe u dërguan në Kiev, ku po flasin me hetuesit e SBU-së [Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës]”, tha Zelensky në Telegram.
Zelensky postoi në Telegram gjithashtu edhe fotografi të ushtarëve për të cilët thotë se janë kapur.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Kjo është hera e parë që autoritetet ukrainase publikojnë pamje të ushtarëve të kapur koreanoveriorë.
Vitin e kaluar, Moska i dërgoi rreth 11.000 ushtarë koreanoveriorë në Kursk për të mbështetur forcat ruse në rajon, i cili është pjesërisht nën kontrollin e forcave ukrainase që nga gushti.
Në fjalimin e tij të përditshëm të hënën, Zelensky tha se ofensiva e Kurskut ishte e rëndësishme në parandalimin e ridrejtimit të trupave ruse në Donetsk dhe rajone të tjera në Ukrainën lindore dhe jugore.