Zbulohet pronari i depos së armëve në Vlorë, njihej me nofkën “Zoto”
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga arrestimi i një 31-vjeçari mesditën e sotme në qytetin e Vlorës.
Bëhet fjalë për shtetasin, Gjergji Dervishaj, i njohur dhe me nofkën ‘Zoto’ i cili kishte krijuar një depo me armë të kamufluar në një dyqan rrobash.
Policia bën me dije se armët e sekuestruara do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme, për të parë nëse janë përdorur në ngjarje kriminale të ndodhura më parë.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë dhe të DVP Vlorë, në vijim të punës për garantimin e sundimit të ligjit në territor dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe vënien përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve që i disponojnë ato, pas informacionit të siguruar përmes inteligjencës policore se në lagjen “Isa Boletini”, një shtetas posedonte armë zjarri, në një ambient në pronësi të tij, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Knock Out 4″, si rezultat i të cilit u vu në pranga shtetasi:
– Gj. D., 31 vjeç, banues në Vlorë.
Gjatë kontrollit në ambientin në përdorim të 31-vjeçarit (i njohur me nofkën “Zoto”) dhe kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 1 minë me telekomandë, 4 armë zjarri automatik (njëri prej tyre me silenciator), 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë zjarri imituese, 12 krehra armësh, rreth 800 fishekë, 1 jelek antiplumb, 1 peshore elektronike dhe 1 palë targa automjeti”,- njofton Policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.