Zbulimi i 7446 bimëve kanabisi në Velipojë, pezullohet shefi i Komisariatit të Shkodrës dhe dy punonjës të tjerë (EMRAT)

Zbulimi i 7446 bimëve të dyshuara narkotike Cannabis sativa në fshatin Reç i Ri të Velipojës ka sjellë masa të menjëhershme në radhët e Policisë së Shtetit. Drejtori i Përgjithshëm, Skënder Hita, ka pezulluar nga detyra tre drejtues dhe efektivë policie, ndërsa ka nisur hetim disiplinor edhe për dy punonjës të tjerë.
Policia e Shtetit
U gjetën të kultivuara 7446 bimë të dyshuara narkotike Cannabis sativa në fshatin Reç i Ri, Njësia Administrative Velipojë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, pezulloi nga detyra Shefin e Komisariatit të Policisë Shkodër, Shefin e Stacionit të Policisë Velipojë dhe Ndihmësspecialistin e Policimit në Zonë, përgjegjës për territorin ku u gjetën bimët.
Gjithashtu, nisi hetimi disiplinor për dy punonjës të tjerë, pjesë e grupit të kontrollit të territorit.
Pas informacionit të mbërritur në postën elektronike të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për kultivimin e mijëra bimëve narkotike në fshatin Reç i Ri, Velipojë, në një territor të hapur dhe lehtësisht të verifikueshëm në zonë fushore, u organizua menjëherë puna për asgjësimin e tyre, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi Drejtorinë e Standardeve Profesionale të kryente një hetim të thelluar administrativ.
Për mangësi të konstatuara në mospërmbushjen e detyrave, nisi hetimi disiplinor për pesë punonjës policie, konkretisht për:
Kryekomisar B. L., me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Shkodër, për të cilin është vendosur pezullimi disiplinor nga detyra;
Nënkomisar Z. M., me detyrë Shef i Stacionit të Policisë Velipojë, gjithashtu i pezulluar nga detyra;
Inspektor S. K., me detyrë Ndihmësspecialist i Policimit në Zonë, përgjegjës për territorin ku u gjetën bimët narkotike, i pezulluar nga detyra.
Më tej, ka nisur hetimi disiplinor, pa pezullim nga detyra, për Nënkomisar D. N., me detyrë Special
ist për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Velipojë, dhe për Inspektor E. I., me detyrë Ndihmësspecialist i Policimit në Zonë në Stacionin e Policisë Velipojë, të dy pjesë e grupit të kontrollit të territorit.
Lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike dhe çdo forme paligjshmërie mbetet prioritet i Policisë së Shtetit.
Çdo rast do të trajtohet me vendosmëri maksimale dhe pa asnjë kompromis, si ndaj autorëve të veprave penale, ashtu edhe ndaj çdo punonjësi policie që nuk përmbush detyrimet ligjore ose abuzon me detyrën.


