Zbulime unike në Lin, gjendet një mjet lundrues 3 mijë vjeçar dhe vendbanimi më i madh në Europë
Një mjet lundrues më se 3 mijë vjeçar dhe kulturë materiale që e bëjnë vendbanimin palafit të Linit mbase më të madhin në Europë. Këto janë rezultatet e kërkimeve të një grupi arkeologësh shqiptaro-zviceran të bëra publike nga Instituti i Arkeologjisë!
Një mjet lundrues që i përket neolitit të mesëm mund të rezultojë të jetë një gjetje unike në rang europian që del në dritë në zonën e Linit pranë Pogradecit. Në konferencën vjetore të Institutit të Arkeologjisë, arkeologu Adrian Anastasi dha detaje.
“Me siguri mund ta klasifikojmë edhe si një zbulim unikal. Ne arritëm të identifikonim një mjet lundrues, pirog, e cila është e rëndësishme për sa i përket mjeteve lundruese në atë periudhë, por rezulton të jetë ndër ato pak gjetje që janë bërë në nivel europian për sa i përket kësaj periudhe”, tha Anastasi.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Kërkimet arkeologjike në zonë po kryhen nga një ekip shqiptaro-zviceran drejtuar nga prof Albert Hafner (Universiteti i Bernës), Ilir Gjipali e Anastasi. Tanimë arkeologët po presin rezultatet e analizave të sondazheve të kryera, që mund ta bëjnë sitin palafit të Linit, më të madhin në Europë.
“Ky sondazh dha datimin më të vjetër në Europë. Jemi në vitin 5710 para Krishtit dhe nëse këto konfirmohen, siti palafit Lin 3, jo vetëm që është më i madhi në Europë, por është i pari që ka filluar të përdorë teknikën e ndërtimit në palafite”, tha ai.
Gjetja e një kulture të pasur materiale në Lin i bën arkeologët të mendojnë se vendbanimet palafite mbi ujë mund të kenë gjenezën në këtë zonë.