Vrasja në mes të Vlorës / “Qitësi, qëlloi nga brenda ‘Audi’-it”, merren në pyetje mbi 30 persona, zbardhen dëshmitë
Zbardhen të tjera detaje nga vrasja e 41-vjeçarit Laert Keka mbrëmjen e djeshme në Vlorë. Burimet e policisë së Vlorës bëjnë me dije se ka shkuar në 30 numri i personave të pyetur në lidhje me këtë ngjarje, në vendin ku ndodhu krimi dhe polici.
Rreth 10 persona janë shoqëruar në komisariatin e Vlorës. Ndër 30 personat janë familjarë, shokë, të viktimës të pyetur për konfliktet që ai ka pasur apo ngjarje të mëparshme.
Ata kanë deklaruar se në dijeninë e tyre, veç ngjarjes së vitit 2000 nuk kanë ditur më konflikte apo ngjarje që viktima të ketë pasur lidhje, ku viktima ka grabitur një kambist, të cilin më pas e kanë vrarë.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Rreth 10 personat që janë shoqëruar në komisariat kanë qenë kryesisht dëshmitarë okular të cilët kanë treguar ngjarjen e plotë. Sipas tyre makina Audi A6 me targa italiane, me xhama të zinj kishte në brendësi të saj dy persona, shoferin dhe qitësin.
Fillimisht në drejtim të viktimës është goditur kur ai ka qenë në lëvizje me motor dhe më pas ai ka lënë motorin duke ecur për 100 metra në këmbë ku ka nxjerr armën dhe është kundërpërgjigjur. Nga makina është goditur me breshëri kallashnikovi disa herë, edhe pse ai po largohej. Në fund qitësi ka dalë jashtë Audi A6 dhe është siguruar që e ka ekzekutuar.
Mbi 30 gëzhoja janë gjetur në vendin e ngjarjes të cilat janë kryesisht të armës së zjarrit Kallashnikov. 6 prej plumbave e kanë kapur 41-vjeçarin në trup, këmbë dhe kokë. Laert Keka ka ndërruar jetë në momentin kur qitësi ka dalë nga makina dhe e ka goditur për herën e fundit, dyshohet në kokë. Ndër gëzhojat, janë gjetur edhe ato të pistoletës ç’ka tregojnë se ka pasur shkëmbim zjarri. Ngjarja ndodhi në një zonë të frekuentuar, në orarin e mbrëmjes ku ka biznese dhe kamera sigurie dhe e gjithë ngjarja është filmuar.
Audi më pas është larguar me shpejtësi duke dalë nëpër lagje, në hyrje të qytetit, në rrugën e Lumit. Autorët kanë djegur në aksin Kotë-Sevaster makinën dhe më pas janë larguar me një tjetër mjet duke përfituar nga zona e shkretë dhe errësira.
Policia ka ngritur postobllok policor por s’ka ende autor të dyshuar. Ngjarje dyshohet për larje hesapesh, pazare droge si dhe borxhe kumari në shifra të konsiderueshme.
Kujtojmë se viktima ka qenë i dënuar më parë. Rreth viteve 2000 ka marrë peng një kambist teksa për t’i marrë shumën e lekëve në bashkëpunim me një tjetër shtetas e ka vrarë. Disa vite ka qëndruar i identifikuar si autor i krimit në arrati dhe më pas në 2005 për të është dhënë vendimi i formës së prerë për ta dënuar, ku ka bërë edhe disa vite burg pas kësaj ngjarje.
Pas daljes nga burgu rezulton i përfshirë në botën e errët të krimit në këtë qytet, pazaret e drogës, botën e kumarit dhe aktivitetin e grupeve kriminale në Vlorë.