Vdes nga i ftohti gruaja 66-vjecare në Fier, OSHEE: Dritat ia hoqëm para një viti

Aktualitet

Vdes nga i ftohti gruaja 66-vjecare në Fier, OSHEE: Dritat ia hoqëm

Në një shtëpi të rrënuar, pa asnjë familjarë pranë, e në mes të ftohtit, i kaloi sekondat  e fundit të jetës 66 -vjeçarja Liliana Sema në fshatin Ferras të Fierit.

Në këto kushte, e ngrirë nga të ftohtët, trupi i Lilianës qëndroi për 3 ditë i pajetë në banesën e saj, deri kur u gjet nga i vëllai ditën e djeshme.

Baçi Gjoleka thotë se e gjeti të motrën të ngrirë nga i ftohti, ndërsa thekson se i ishte ndërprerë energjia elektrike për shkak se nuk kishte patur mundësi ta paguante.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ne e gjetëm të ngrirë nga i ftohti. Ja kishin prerë dritat, kishin 10ditë që ja kishin prerë. Ajo nuk kishte lekë t'i paguante. Unë e gjeta të ngrirë. Doktori tha që ka ngrirë nga i ftohti", thotë ai.

Liliana nuk e kishte nisur jetën e vetme. E martuar dhe me 3 fëmijë, prej vitesh jetonte në mjerim, vetëm me pension prej 7 mijë lekësh që merrte në muaj. Bashkëshorti ishte ndarë nga jeta, ndërsa 2 prej fëmijëve kanë emigruar herët në Itali. I treti, 35 vjeç, punon jo shumë larg Fierit, në qytetin e Sarandës. 

Djali i të ndjerës, Kushtrim Sema shprehet se e ëma jetonte në kushte shumë të vështira dhe se mblidhte kanaçe për të jetuar. Ai pretendon se 66-vjeçarja i kishte paguar dritat deri në muajin dhjetor, e megjithatë energjia i ishte ndërprerë, duke mos i lënë mundësinë që të kishte qoftë dhe një ngrohëse për të përballuar ditët e acarta që përfshinë vendin.

"Më mori kushëriri në telefon, erdha këtu dhe e gjeta mamanë të vdekur. Isha para 10 ditësh këtu dhe bëra sherr për dritat që t'ja linin të paktën të kishte një dritë ndezur. Mami kishte pension, mblidhte kanaçe, punonte edhe te komshinjtë kur kishte. Vuante nga zemra, tensioni.

Ajo i ka paguar dritat deri në dhjetor, ata thonë që nuk i ka paguar. Ajo ka vdekur nga i ftohti, ka ngrirë sepse edhe një rezistencë që kishte nuk kishte si ta vinte në punë", thotë djali i të ndjerës.
Dy fëmijët e Italisë nuk mundën t’i vinin as në varrim, ndërsa dhimbjen për jetën e vështirë të Liljanës, e motra e shpreh mes lotësh.

"Ka vuajtur shumë, jetonte e vetme, përpiqeshim por nuk kishim mundësi ta ndihmonin, vdiq nga i ftohti. Me pislliqe nëpër tokë, mbetje ushqimi, rroba të hedhura sa andej këndej dhe një bombol e vogël për kafe, janë shenja se në këtë shtëpi askush nuk ka vënë dorë për të ndihmuar të moshuarën e vetme", thotë ajo. 

E teksa drama e Lilianës u zbulua vetëm pas vdekjes së saj, rezulton se ajo kishte 1 vit që jetonte në këto kushte, pa energji elektrike sepse i ishte ndërprerë për shkak se ishte debitore që nga vitit 2007.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) interesimit të Report Tv për rastin e rëndë të 66 vjeçares, ka sqaruar se zonja kishte 1 vit pa energji elektrike.

Sipas OSHEE zonja ka qenë debitore për pagesat e energjisë elektrike ndër vite, që nga vitit 2007. Në gusht të vitit 2018, zonja ka lidhur akt-marrëveshje me OSHEE për të shlyer në 53 këste me vlerë 1200 lekë debitë ndër vite. Pasi ka paguar 18 kështe, në tetor 2020 zonja ka ndërprerë pagesat e kësteve prej 1200 lekë.

"Nga kjo periudhë OSHEE i ka ndërprerë energjinë elektrike zonjës, pra ka 1 vit që është pa energji elektrike, për mosrespektim të akt-marrëveshjes", sqaron OSHEE. 

Të pyetur për pagesat që zonja kishte në librezë, OSHEE deklaron se vlerat 340 lekë në librezën e dritave që është publikuar në media, është tarifa e shërbimit, pagesë që e bëjnë të gjithë ata konsumatorë familjarë që e kanë kontratën të hapur por nuk kanë energji ekektrike në banesë. 

Sipas OSHEE, në sistem nuk ka asnjë kërkesë nga askush për rilidhje të energjisë elektrike, prej vitit 2020 kur është ndëprerë, dhe as kërkesë për të riaktivizuar akt-marrëveshjen.

Nënë e tre fëmijëve, që i rriti me sakrifica, e megjithatë askush nuk u kujtua për Lilianën, deri dje, kur e gjetën të vdekur, duke zbuluar një dramë të madhe sociale, plagë në shoqërinë tonë.

ME TE LEXUARAT