Tritol apartamentit të dy motrave në Elbasan, plagoset komshiu, babai i të riut: Më shpëtoni djalin!
Një ngjarje e praprecedentë ndodhi gjatë natës së shkuar në Elbasan, ku në derën e apartamentit të dy motrave u tritol.
Nga shpërthimi mbeti i plagosur rëndë fqinji i tyre që banonte përballë, Enea Themollari, por që sipas policise, nuk ishte ai objektivi i ngjarjes.
Mes lotësh babai i tij është shprehur se djali është në intubim, teksa u lutet mjekëve ta shpëtojnë.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
“Djali është në intubim, është dëmtuar në kokë, i ra dera në kokë. I lutem doktorëve të më shikojnë çunin. Vajzat nuk i njihja, komshije. Unë në gjumë isha, çunin e pashë në tokë, dera është ndarë përgjysmë”-thotë babai, citon top channel.
Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 02:30, në lagjen “Haxhias”, në derën e hyrjes në pronësi të shtetasit B. B., 59 vjeç, në të cilën jetonin me qira dy motra nga Lezha.
Njëra prej motrave punonte në Elbasan dhe kishin dy muaj që jetonin aty.
Të gjitha dyshimet e policisë shkojnë në një konflikt të mbartur nga qyteti i tyre ku dikush mund t’i ketë përndjekur.
Artur Themollari:
“Ishte ora 02:15 kur ndodhi shpërthimi. Ne ishim në gjumë. Çuni po shkonte në banjo, i ra dera në kokë nga shpërthimi. Kur u çuam ne gjetëm çunin në tokë. Ne jemi njerëz të rregull, familjarë, dy çunat i kam familjarë. Fati i keq.
Përballë jeton një gocë me vajzën e vet, me një 9-vjeçare. Ka një vit që jeton këtu. Ne vetëm i përshëndesim, se i kemi komshinj përballë. Sjellje normale ka pasur, nuk kam ndonjë problem.
Problemi është që këta njerëz që vijnë jetojnë me qira duhen parë. Ne jemi familjarë, nuk jemi njerëz dosido. Djali është në intubim, në spitalin ushtarak. Kërkoj nga shteti që të gjendet atentatori dhe dua të më shërohet djali. Asgjë tjetër nuk dua”, thotë babai me lot në sy.
Edhe fqinjët e tjerë flasin të tronditur për atë që ndodhi. Ata tregojnë se dëgjuan një shpërthim mjaft të fuqishëm. Madje një familje u bllokua në banesë pasi dera nuk hapej.
“Jetojmë në barbari, anarki. Kjo është demokracia…është pseudo demokraci. Nuk quhet demokraci. Edhe në Amerikë ndodhin 17 herë më shumë ngjarje të tilla. Popujt po ikin drejt anarkisë”, thotë një banor i pallatit.
“Ishim në gjumë në atë moment dhe dera ishte e mbyllur. Dera është pridhur. Kur ka ardhur policia lajmërova komshien të më hapte derën se ne ishim të bllokuar. Nuk pashë asgjë, shpërthimin e dëgjova. Akoma na dridhet mishi”, thotë një banore.
Dëme janë shkaktuar në dyer, xhama, në shkallë e soletë.
Në banesën ku është vendosur tritoli jetonin një 30 vjeçare e divorcuar nga Lezha dhe vajza e saj 9 vjeçare. Shpesh e reja vizitohej nga motra e saj.
Kontaktet e 30-vjeçares me fqinjët ishin vetëm përshëndetjet e momentit. Sakaq mësohet se gruaja nga Lezha punonte me rrjetet sociale, dilte herët në mengjes nga banesa dhe kthehej me vajzën e saj, citon vizion plus.