Të hash shpejt/ Zbuloni çfarë pëson organizmi

Aktualitet

Të hash shpejt/ Zbuloni çfarë pëson organizmi

Ngrënia me shpejtësi është e gabuar dhe rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës, diabetit dhe hemorragjisë cerebrale. Ky është konkluzioni i një studimi të kryer në Japoni. Gjetjet e studimit u publikuan në revistën "Scientific Sessions" në vitin 2017.

Studimi zbuloi se babëzia ushqimore është tejet e dëmshme për metabolizmin dhe shëndetin kardiovaskular. Studimi i udhëhequr nga kardiologu Takayuki Yamaji pjesë e ekipit shkencor të Universitetit të Hiroshimës, mbikëqyri stilin e të ngrënit te mbi 1,000 persona në harkun kohor të pesë viteve.

Studimi u përqendrua në marrëdhënien mes shpejtësisë së të ngrënit dhe sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit dhe hemorragjisë cerebrale të përmbledhura në termin sindroma metabolike.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Shpejtësia në ushqyerje nxit pesë faktorë rreziku të sëmundjeve të lartpërmendura.

Faktorë rreziku janë: tensioni i lartë i gjakut, niveli i lartë i triglicerideve, yndyrnave në gjak, sheqernave, nivele të ulëta të kolesterolit të mirë dhe mbipesha.

Ushqyerja e shpejtë është gjithashtu shkaktare e ritmeve të larta e të frikshme të mbipeshës në të gjithë botën, thonë shkencëtarët. Sipas tyre, prevalenca e këtij spektri të gjerë sëmundjesh varion nga 10-84 për qind të popullsisë në botë.

Specifikat e studimit japonez

Kardiologu Takayuki Yamaji dhe kolegët e tij ekzaminuan 1,083 persona, 642 prej të cilëve ishin meshkuj. Mosha mesatare e pjesëmarrësve në studim ishte 51 vjeç.

Në vitin 2008, që shënjon edhe nisjen e studimit, pjesëmarrësit nuk kishin asnjë shenjë të sindromës metabolike. Pjesëmarrësit u ndanë në grupe sipas shpejtësisë së të ngrënit: ata që hanin ngadalë, me ritme normale dhe ata që hanin shpejt.

Ushqyerja e shpejtë dhe lidhja me sindromën metabolike

Gjatë pesë viteve të studimit, 84 njerëz u prekën nga sindroma metabolike. Ushqyerja e shpejtë nxiste mbipeshën, rritjen e sheqerit në gjak, kolesterolit dhe masës dhjamore në trup. Njerëzit që ushqeheshin shpejt ishin dyfish më të rrezikuar ndaj sindromës metabolike në krahasim me pjesëmarrësit që hanin normalisht.

Njerëzit që hanin me shpejtësi kishin 11.6 për qind gjasa që të prekeshin nga faktorët e rrezikut. Njerëzit që hanin normalisht kishin 6.5 për qind gjasa të prekeshin nga këta faktorë. Njerëzit që hanin ngadalë kishin vetëm 2.3 për qind shanse që të prekeshin nga sindroma metabolike.

Autorët e studimit u shprehën se ushqyerja e shpejtë shkakton mbipeshë dhe një prevalencë të lartë të sindromës metabolike. Sipas tyre, ngrënia e ngadaltë është një faktor kyç në parandalimin e kësaj sindrome. Studimi nënvizoi se ata që përtypen ngadalë ndihen më të ngopur dhe nuk e teprojnë me ushqimin./AgroWeb.org

 

 

ME TE LEXUARAT