Tatimet listojnë 100 më të pasurit në Shqipëri

Aktualitet

Tatimet listojnë 100 më të pasurit në Shqipëri

Njësia Antinformalitet do të identifikojë 100 personat më të pasur në Shqipëri dhe do të verifikojë nëse ata paguajnë të plota taksat për të ardhurat e tyre.

Në një intervistë për Euronews Albania, kryetarja e kësaj njësie, Vasilika Vjero thotë se kjo listë do të zgjerohet më tej dhe në këtë proces do të përfshihen të dhëna nga Policia dhe Parandalimi i Pastrimit të Parave.

“Do të bëhet regjistri me personat më të pasur. Është një proces delikat identifikimi i këtyre individëve dhe i vështirë. Do të përdoren të dhënat që vijnë nga Policia, Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave të Pista”, tha Vjero.

Merr lajme ekskluzive në Viber

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Viber duke klikuar këtu.

Të parët që do të jenë në lupën e inspektorëve tatimorë është sektori i të punësuarve në tregti, tregun e sigurimeve, ndërtim dhe individët që bëjnë jetë luksoze.

“I kemi identifikuar sektorët me risk të lartë dhe rezultojnë tregtia, ndërtimi, sigurimet, që janë një treg i ri dhe individët bëjnë jetë luksoze”, tha Vjero.

Njësia Antinformalitet ka nisur hetimin e pasurisë për 32 individë të cilët rezultojnë të shpenzojnë para më shumë se të ardhurat që deklarojnë.

“Këta 32 individë janë të sektorit të ndërtimit dhe sigurimeve. I kemi identifikuar dhe një pjesë kanë pranuar që pagat i kanë të larta, por kompanitë ia kanë deklaruar më pak. Pas intervisitimit të tyre kemi parë një ndryshim të sjelljes së kompanive dhe rishikim të pagës që deklarohet”, tha Vjero.

Njësia do të presë edhe denoncime të qytetarëve për persona të cilët nuk janë të punësuar, por shpenzojnë shuma parash të pajustifikuara.

“Do të marrim parasysh edhe denoncimet e publikut, por patjetër që ato do të verifikohen në mënyrë që të jenë të faktuara”, u shpreh ajo.

Fokusi për hetimin e punonjësve do të jetë në kompanitë e mëdha, pa prekur bizneset e vogla./euronews

 

ME TE LEXUARAT