SPAK nuk gjeti prova që inkriminonin Olsi Ramën, Sali Berisha reagon për “Xibrakën”
Kreu demokrat Sali Berisha, ka reaguar nga qyteti i Pogradecit në lidhje me dosjen Xibraka që SPAK përfundoi hetimet ditën e djeshme duke deklaruar se Olsi Rama, i akuzuar nga Gazment Bardhi si i përfshirë në laboratorin e drogës, nuk ka lidhje me këtë çështje.
Berisha gjatë vizitës së sotme në Pogradec, në një prononcim për gazetarët ka thënë se SPAK ka treguar dje se është vetë pjesë e dosjes “Xibraka”. Ndër të tjera ai tha se tashmë jo vetëm vëllai i kryeministri, Olsi Rama, por dhe vetë kreu i Strukturës së Posaçme është pjesë e këtij laboratori droge.
“Me deklaratën e tij dje, SPAK tregoi se është pjesë e dosjes Xibraka. Kaq mund të them, tregoi se tani nuk kemi vetëm Olsin, por kemi edhe Dumanin anëtar të bandës së Xibrakës”, tha Berisha.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Kujtojmë që SPAK mbylli ditën e djeshme hetimet për dosjen Xibraka, te rinisura disa muaj me parë pas administrimit të një informacioni të dërguar nga kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi, i cili pretendoi përfshirjen e shtetasit, Olsi Rama në veprimtari të paligjshme.
Në përfundim të hetimeve rezulton se nuk është gjetur asnjë provë që implikon në këtë çështje Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit Edi Rama. Gjithashtu se përveç personave të cilët janë dënuar më parë, nuk janë identifikuar autorë të tjerë të mundshëm për veprat penale në fjalë.
Goditja e laboratorit të drogës në Xibrakë
Grupi i drogës "Xibraka" u zbërthye në janar të vitit 2015, gjatë një operacioni të Policisë së Shtetit të asistuar nga agjentë të Policisë gjermane, ndërsa u sekuestrua sasia rekord e kokainës prej 100 kg. Droga u gjet në një magazinë në fshatin Xibrakë, 10 km larg qytetit të Elbasanit. Në sajë të atij operacioni, tetë persona u arrestuan brenda dhe pranë magazinës së drogës, mes tyre dhe kreu i grupit Sajmir Batku, nipi ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxha dhe dy shtetas kolumbianë.
U shpall në kërkim Genci Xhixha, i cili njihej si kreu i një rrjeti të fuqishëm të trafikut të kokainës në Europë dhe më gjerë. Kanë qenë autoritet gjermane që në datën 17.12.2014, sollën në Prokurorinë për Krime të Rënda një informacion mbi organizimin e një aktiviteti të trafikimit të një sasie lënde narkotike të dyshuar si kokainë nga Shqipëria drejt Gjermanisë.
Pas këtij informacioni Krimet e Rënda nisën hetimet që zgjatën afro 8 muaj. Rezultoi se të pandehurit kishin krijuar një grup të strukturuar kriminal për trafikimin e lëndëve narkotike, në kuadër të të cilit ata kanë importuar në territorin e Shqipërisë një sasi lënde në përmbajtje të së cilës ka qenë e fshehur kokainë. Për ekstraktimin e saj, ata kanë ngritur edhe një laborator ku përpunohej lënda bazë që përmbante kokainën deri sa nxirrej në formën e saj përfundimtare, e gatshme për t’u shitur në treg apo trafikuar.