Sekuestrohen 60 kg kanabis në Fier, 7 të arrestuar, mes tyre 4 gra

Aktualitet

Sekuestrohen 60 kg kanabis në Fier, 7 të arrestuar, mes tyre 4 gra

Policia e Fierit ka arrestuar mesditën e sotme 7 persona, të cilët akuzohen për prodhim dhe shitje të narkotikëve. Sipas raportimeve janë sekuestruar 60 kg kanabis. Mes të arrestuarve bëhet me dije se janë katër gra.

Arrestimet janë kryer në kuadër të finalizimit të operacionit policor të koduar ‘Hamili’, dyke goditur dy raste, një për prodhim dhe shitje, dhe një për kultivim të narkotikëve.

Policia bën me dije se gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Hamil, në stallën në pronësi të Altin Hebejas, janë gjetur saktësisht 60.4 kg kanabis si dhe në tokën e tij të mbjellë me misër u gjetën të kultivuara bimë kanabisi.

Në vijim të veprimeve, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim dhe “Kultivimi i bimëve narkotike” Altin Hebeja, 42 vjeç, banues në Hamil.

Për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim u arrestuan personat me inicialet Z. K., 36 vjeç, A. K., 24 vjeçe, F. K., 38 vjeçe, H. K., 60 vjeçe dhe F. K., 34 vjeçe, banues në fshatin Baltëz, të cilët u gjetën në stallën e Altin Hebjas, duke kryer procesin e tharjes së bimëve narkotike.

Gjithashtu u procedua penalisht për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, kryeplaku i fshatit Hamil, Sinan Hebeja, 56 vjeç.

Gjatë kontrollit të territorit, po në këtë fshat, në tokën e mbjellë me misër të Erjon Hebejas, 39 vjeç, u gjetën të kultivuara bimë narkotike kanabis sativa.

Në përfundim të veprimeve, u arrestua në flagrancë 39-vjeçari Erjon Hebeja, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Fier për veprime të mëtejshme.

ME TE LEXUARAT