Qëlloi me armë një mace, policia shoqëron në komisariat 39-vjeçarin në Tiranë
Policia e Tiranës ka shoqëruar në komisariat një 39-vjeçar, pasi u shfaq në një video në rrjetet sociale teksa gjuante me armë një mace.
Policia sqaron se Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, menjëherë pas publikimit të pamjeve filmike, organizuan punën për identifikimin dhe shoqërimin e autorit.
Në vijim të veprimeve, u shoqërua në komisariat shtetasi S. K., 39 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit në automjetin e tij, shërbimet e Policisë gjetën një armë sportive, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Në vijim të veprimeve nisi procedimi penal për shtetasin S. K., për veprat penale “Keqtrajtimi i kafshës”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.