Pse u anulua tenderi për dy satelitët në hapësirë/ Çfarë premtonte Rama disa muaj më parë?

Aktualitet

Pse u anulua tenderi për dy satelitët në hapësirë/

Një premtim i Kryeministrit Edi Rama muaj më parë se Shqipëria do të lëshonte satelitët e saj në hapësirë brenda muajit qershor, shkaktoi reagime të shumta në opinionin publik.

Deklarata u konkretizua edhe me një garë të hapur, por ndryshe nga shumë tenderë të tjera, në këtë rast, Ministria thotë se asnjë ofertues nuk ka përmbushur kriteret.

Për këtë arsye, Ministria e Mbrojtjes thotë se është e detyruar ta anulojë atë, pa treguar nëse tenderi në fjalë mund të rihapej sërish.

Merr lajme ekskluzive në Viber

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Viber duke klikuar këtu.

VENDIMI

Ndërsa nuk dihen ende kompanitë që kanë aplikuar për shërbimin që do t’i ofrohej Shqipërisë në hapësirë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njoftoi një ditë më parë se ka anuluar zyrtarisht tenderin për satelitët “Albania 13 dhe “Albania 2”.

Bëhet fjalë për një tender që taksapaguesve shqiptarë do t’u kushtonte 7.2 milionë dollarë për një periudhë 3-vjeçare. Ndërsa ekspertët e fushës kanë deklaruar se Shqipëria nuk i ka mundësitë financiare për satelitët e saj në hapësirë, qeveria çeli një garë për këtë arsye.

Por disa muaj pas deklaratave të bujshme të Kryeministrit, duket se ideja do të mbetet thjesht në kuadrin e deklaratave.

Sipas njoftimit të publikuar nga Agjencia e Prokurimeve Publike, objekti i kontratës me titull “Realizimi i projektit të monitorimit të territorit me teknologji të avancuar shërbimi satelitor, për një periudhë 3-vjeçare”, kishte një fond limit TVSH 6 milionë USD pas TVSH.

Në një dokument të shkurtër të publikuar për këtë çështje, bëhet me dije se arsyet e analizimit, janë bazuar mbi ligjin “Për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë”, pasi asnjë nga ofertat e paraqitura nuk përputhen me kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit.

Qeveria thotë se nuk do të heqë dorë nga ideja e saj për të monitoruar territorin e saj me teknologji të avancuar, ku përfshihen edhe satelitët në orbitën e tokës, përveç dronëve inteligjentë, të cilët janë futur nga forcat e Policisë për kontrollin e territorit që lidhet me kultivimin e kanabisit.

“Në mars do të lëshohet ‘Albania 1’”, çfarë premtonte Rama për satelitët

Më 14 tetor të vitit të shkuar, Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria do të kishte brenda këtij viti satelitët e saj në hapësirë. Rama thoshte se Shqipëria do të dërgonte në orbitë brenda vitit 2022 dy satelitë, të cilëve u kishte vendosur edhe emra “Albania 1” dhe “Albania 2”, të cilët, sipas Ramës, do të monitorojnë territorin dhe do të evidentojnë veprimtaritë e kundërligjshme.

“The do të blemë dronë? Jo, do të blemë dronë dhe do të çojmë satelitë në orbitë. Këtë do ta bëjmë vitin tjetër, ‘Albania 1’, ‘Albania 2’, sepse për ne ky vend nuk është tokë e xanun. Na keni lënë një situatë që patjetër do kohë, durim, për të pastruar këtu e atje, s’mbaron, por ne shohim shumë larg.

Po të them që dronët po e po, por edhe satelitët, në mënyrë që kontrolli mbi territorin, mbi trafiqet, mbi kufijtë, të kalojë në nivelin e teknologjisë dhe të hiqet nga duart e atyre që kontrollojnë me sy, që me thënë të drejtën, kur vjen puna tek inspektorët, janë me virus edhe ata që kishit ju, edhe këta që kemi ne.

Prandaj, sytë për të kontrolluar do t’i çojmë në qiell e do të kontrollojmë nga qielli. Ju qeshni, sepse të qeshurën e keni program partie. Edhe pse sot jeni në kushtet kur qeshni, sepse nuk qani dot”, u shpreh Rama.

“Në mars do të lëshohet [Albania 1]. Do të filmojmë një video dhe pas shkëputjes, do të shohim satelitin në orbitë”, shprehej Rama.

Por, në prill deklaronte se “vonesat nuk janë në dorën time”. “Padurim të madh paskan pasur disa për satelitët e, sipas modës së re, thonë ç’të duan, pa pyetur fare more si është puna!

Po një gjë çuditem si nuk duan ta kuptojnë: Unë them atë që bëj e bëj atë që them dhe kur vonesat s’janë në dorën time, thjesht bëj durim, po zotimit s’i ndahem jo”, shkruante Rama.

ME TE LEXUARAT