Policia mësyn në fshatrat e Lezhës, Mirditës dhe Kurbinit, asgjësohen 1691 bimë kanabis
Lezhë/Vijojnë kontrollet antikanabis në të gjithë territorin e qarkut.
Finalizohet faza e 28-të e megaoperacionit policor të koduar “Imazhi”.
Asgjësohen nëpërmjet djegies në total 1691 bimë narkotike cannabis sativa që u gjetën të kultivuara në fshatra të rretheve Lezhë, Kurbin dhe Mirditë.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Shërbime të Komisariateve të Policisë Lezhë, Mirditë dhe Kurbin, të pajisura me dronë, kanë vijuar kontrollet në zona të pyllëzuara të qarkut, me qëllim parandalimin, konstatimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.
Si rezultat, u finalizua faza e 28-të e megaoperacionit policor antikanabis, në nivel qarku, të koduar “Imazhi”, si rezultat i së cilës, në zona të shpyllëzuara, janë konstatuar dhe asgjësuar nëpërmjet djegies në total 1691 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.
Konkretisht:
– në fshatin Fregen të njësisë administrative Ungrej, rrethi Lezhë, janë gjetur të kultivuara në tokë në zonë të shpyllëzuar 421 bimë dyshuara narkotike cannabis sativa.
– në fshatin Thirre të njësisë administrative Fan, rrethi Mirditë, janë gjetur edhe 1055 bimë të tjera të dyshuara narkotike cannabis sativa të kultivuara në tokë.
-në fshatin Daul, njësia administrative Milot e rrethit Kurbin, janë gjetur edhe 215 bimë të tjera të dyshuara narkotike cannabis sativa të kultivuara në tokë.
Bimët narkotike, pas kryerjes së veprimeve procedurale, u asgjësuan nëpërmjet djegies.
Policia e Lezhës, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, vijon veprimet hetimore, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorit/ëve të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.