Policët do punojnë 12 orë, Rrumbullaku: Do t’i paguhen të gjitha orët shtesë
Policia e Shtetit ka ndërmarrë një sërë masash me qëllim mbarëvajtjen e sezonit turistik. Duke filluar nga nesër, 15 qershor, efektivët e policisë përgjatë tre muajve të stinës së verës do të punojnë 12 orë në ditë për të përballuar sezonin turistik.
Efektivët do të punojnë 4 orë më tepër në ditë, kundrejt pagesës. Përveç pagës mujore ata do të paguhen edhe për 104 orët shtesë. Vendim i firmosur nga kryepolici, Muhamet Rrumbullaku, hyn në fuqi i nga data 15 qershor deri më 15 shtator.
Gjithashtu, nga 1 korriku 2024, do të aplikohet edhe rritja e pagave për punonjësit e policisë, bazuar në gradat që ato kanë. Kështu punonjësit e Policisë së Shtetit me gradat Inspektor, Inspektor i Dytë dhe Inspektor i Parë do të kenë një rritje nga 30 në 34%.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Rritja më e vogël në përqindje, krahasuar me pagën që kanë, është për zyrtarët e Policisë me gradat Drejtues dhe Kryekomisar, që respektivisht do të përfitojnë 23 dhe 24% më shumë se pagat aktuale.
Ndërkohë për punonjësit e Policisë së Shtetit me gradat madhore Drejtues i Parë, Drejtues i Lartë dhe Drejtues Madhor, rritja në përqindje varion nga 31 në 36%.
Referuar të dhënave zyrtare, punonjësit e Policisë me gradën inspektor do të përfitojnë një rritje page prej 19775 lekë në muaj, ndërsa ata me gradën nënkomisar një rritje prej 21275 lekë në muaj.