Përvjetori i vrasjes së të atit, Rudina Hajdari zbulon përse nuk iu bashkua homazheve
Këtë vit, ndryshe nga çdo vit tjetër, Rudina Hajdari ka munguar në ceremoninë e homazheve të organizuar për të shënuar 26-vjetorin e vrasjes së babait të saj, Azem Hajdari.
Ceremonia, e zhvilluar pranë monumentit të tij në Tiranë, përfshiu përfaqësues të lartë të Partisë Demokratike, miq dhe të afërm, por Rudina Hajdari nuk ishte e pranishme.
Azem Hajdari, një nga udhëheqësit kryesorë të lëvizjes studentore të viteve ’90, u qëllua për vdekje më 12 shtator 1998, vetëm disa metra nga ndërtesa e Parlamentit. Ai luajti një rol të rëndësishëm në lëvizjen studentore të dhjetorit 1990, që çoi në rrëzimin e regjimit komunist dhe vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Rudina Hajdari ka ndarë arsyen e mungesës së saj nëpërmjet një postimi në Instagram. Ajo tregon se për 25 vjet ka ndjekur të njëjtën rutinë në këtë ditë, duke vizituar memorialin dhe varrezat, dhe duke u takuar me të afërmit dhe miqtë e babait të saj, Azem Hajdari. Por këtë vit, ajo vendosi të dërgojë vajzën e saj në shkollë.
Në postimin e saj, Rudina shkruan: “Babi, për 26 vjet, kjo ditë më ka pritur gjithmonë me të njëjtën rutinë: vizita te memoriali, varrezat dhe takime me të afërmit dhe miqtë e tu. Sot, vendosa të dërgoj mbesën tënde në shkollë. Më kujtohet që ti nuk do të kesh mundësinë ta takosh Sihanën, mbesën tënde, e cila shpesh thonë se ngjan me ty. Sa shumë do të kishe dashur ta shihje, e imagjinoj. Më ka marrë shumë malli, babi. Shpresoj që të na shohësh nga lart dhe të jesh krenar për ne.”