Operacioni u shtri në Tiranë, Durrës, Fier dhe Vlorë”, detajet nga aksioni “ASTROLABIO”

Aktualitet

Operacioni u shtri në Tiranë, Durrës, Fier dhe Vlorë”,

Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit Drejtues i Lartë, Tonin Vocaj ka dhënë detaje nga operacioni ndërkombëtar i koduar “ASTROLABIO”. Vocaj tha se operacioni u shtri në Tiranë, Durrës, Fier dhe Vlorë.

Detajet nga operacioni (njoftimi):

Policia e Shtetit

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Operacioni ndërkombëtar i koduar “ASTROLABIO”.

Deklarata në emër të Policisë së Shtetit, e mbajtur nga Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit Drejtues i Lartë Tonin Vocaj.

Policia e Shtetit, sot ka finalizuar operacionin “ASTROLABIO”, duke ekzekutuar vendimet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për 18 shtetas shqiptarë dhe të huaj.

Operacioni u shtri në Tiranë, Durrës, Fier dhe Vlorë.

Ky operacion është në sinkron me autoritetet gjyqësore dhe ato të zbatimit të ligjit shqiptare, italiane dhe greke, në kuadër të një Skuadre të Përbashkët Hetimore (JIT), e krijuar midis Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri, Seksionit Antimafia të Prokurorisë së Lecces, Itali, dhe të Prokurorisë së Përgjithshme të Apelit Athinë, Greqi, me koordinimin e EUROJUST (AJA) dhe ndihmën e EUROPOL-it, të cilët kanë zhvilluar ditën e sotme, një operacion të përbashkët për ekzekutimin e 47 masave të sigurimit personal të miratuara lidhur me hetimet e zhvilluara në kuadër të kësaj Skuadre të Përbashkët Hetimore. Operacioni është zhvilluar njëkohësisht në tri shtetet që janë pjesë e skuadrës dhe në disa vende të tjera.

Gjatë hetimeve të kryera nga Skuadra e Përbashkët Hetimore (JIT) është dokumentuar fakti se pjesëtarët e katër grupeve kriminale ushtronin në bashkëpunim ndërmjet tyre, aktivitetin kriminal të kontrabandimit të personave të ndryshëm nga Lindja e Mesme, me destinacion Italinë e Jugut dhe në vijim drejt vendeve të tjera të BE-së. Pjesëtarët e këtyre grupeve kriminale, pasi siguronin persona të ndryshëm, kryesisht në Irak, Siri, Egjipt e vende të tjera, kundrejt një shpërblimi monetar që varionte nga 5000 deri në 10000 euro, i kontrabandonin ato në rrugë tokësore dhe detare, duke iu mundësuar kalimin në mënyrë të paligjshme nga njëri shtet në tjetrin, me destinacion përfundimtar vendet e BE-së. Nga hetimi i përbashkët i kryer janë dokumentuar 30 episode kontrabandimi, me 1120 emigrantë.

Nga hetimet e kryera në Shqipëri, nga shërbimet e Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe agjencive të tjera ligjzbatuese, në bashkëpunim të ngushtë dhe me udhëheqjen e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar SPAK, janë dokumentuar shtatë episode kontrabandimi të personave nga Lindja e Mesme, të kryera në Tiranë, Korçë, Gjirokastër, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Sarandë.

Janë kapur në flagrancë edhe personat e kontrabanduar për të kaluar kufijtë shtetërorë në mënyrë të paligjshme, si dhe është dokumentuar aktiviteti kriminal i këtij grupi të strukturuar.

Gjithashtu janë sekuestruar mjete lundruese (skafe), një anije velierë, automjete, si dhe sende të ndryshme, të cilat shërbenin për kontrabandimin e personave në rrugë tokësore dhe nëpërmjet detit.

Pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin për caktim masash sigurimi të dhënë nga gjyqtari i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është urdhëruar arrestimi i 25 personave në Shqipëri, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, nga të cilët 18 janë shtetas shqiptarë dhe 7 shtetas të huaj (palestinez, irakianë, iranianë, egjiptianë dhe turq).

Hetimet e kryera nga kjo Skuadër e Përbashkët Hetimore (JIT) kanë konfirmuar dhe një herë faktin se vetëm një bashkëpunim i ngushtë ndërmjet autoriteteve gjyqësore dhe ligjzbatuese të shteteve të ndryshme mund të garantojë sukses dhe efektivitet në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.

Në këtë kontekst theksojmë gjithashtu kontributin dhe ndihmën e dhënë në hetimet e kryera nga kjo Skuadër e Përbashkët Hetimore (JIT), nga shërbimet e Zyrës së Ekspertëve të Sigurisë Tiranë të Shërbimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë Italiane, si dhe nga Projekti i Bashkimit Europian “Countering Serious Crime in the Western Balkans - CSCWB IPA 2019”.

ME TE LEXUARAT