Operacioni “Tempulli”/ Kush është 19-vjeçari që ra në prangat e policisë
Një 19-vjeçar i shpallur në kërkim është arrestuar ditën e sotme, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”.
Luis Nelaj ishte i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Luis Nelaj, 19 vjeç
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Pas informacioneve të siguruara se 19-vjeçari do të udhëtonte drejt Shqipërisë, shërbimet e policisë e kanë kapur dhe arrestuar në Rinas.
Sipas fotove të siguruara nga Top Channel, kanabisi ishte i fshehur në kavanoz apo në tapa jeshile, lëndë narotike që kushtonte 3000 lekë, tre herë më shtrenjtë se kanabisi klasik.
“Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se drejt Shqipërisë do të udhëtonte një shtetas i shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Tempulli”, kanë koordinuar veprimet me shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas, të cilët kanë intensifikuar kontrollet për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ky hetim ka nisur muaj më parë, ku policia hetoi lidhjet e personave të arrestuar më herët për shpërndarje dhe zbuloi anëtarët e tjerë. Gjykata ka nxjerrë mbi 200 urdhra ndalimi, në disa qytete të vendit.
Numri i shtetasve të ndaluar në saj të këtij operacioni në Tiranë ka shkuar në 91.
Gjatë zhvillimit të këtij operacioni, janë sekuestruar 10 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, 3.7 kg kokainë, 150 doza heroine, 1 armë zjarri pistoletë, 12 automjete, 78 celularë, 12 peshore elektronike, 3 motomjete, 30 000 euro, 6000 paund, 4 500 000 lekë dhe 12 targa automjetesh.
Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Dy ditë më parë, Top Channel zbardhi detaje nga dosja e përgjimeve për megaoperacionin e Policisë së Shtetit “Tempulli”, ku 3000 forca policie u angazhuan për arrestimin e mbi 233 personave në Tiranë, Durrës, Korçë, Elbasan dhe Vlorë.