Ndërron jetë ish-gazetari i Zërit të Amerikës, Astrit Lulushi

Aktualitet

Ndërron jetë ish-gazetari i Zërit të Amerikës, Astrit

Astrit Lulushi, ish-gazetari dhe producenti i njohur i Zërit të Amerikës në shqip, u nda nga jeta të mërkurën më 4 shtator 2024 në moshën 70-vjeçare në Woodbridge të Virxhinias.

Rrugëtimi i Astritit për në Amerikë, ishte dëshmi e dëshirës dhe guximit për t’i ikur komunizmit dhe diktaturës në Shqipëri, drejt lirisë dhe një jete më të mirë. Në vitin 1985, Astriti u arratis nga Shqipëria dhe erdhi në Amerikë, ku filloi një jetë të re dhe më vonë solli edhe familjen e tij.

Një vit me pas, Astriti filloi një karrierë të shënuar 30-vjeçare tek Zëri i Amerikës. Zëri, figura dhe fjala e tij u bënë të njohura dhe të dashura për dëgjuesit dhe shikuesit ndër vite për tema që nga mjekësia dhe shkenca, diaspora shqiptare në Amerikë dhe historia.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Roli i tij prapa skene, ishte po aq i rëndësishëm si producent kryesor i emisionit televiziv Ditari.
“Largohem i përmbushur dhe i nderuar që kam qenë në shërbimin tuaj, ju dëgjues dhe shikues të mrekullueshëm të programeve të Zërit të Amerikës”, u shpreh ai kur doli në pension nga Zëri i Amerikës në korrik të vitit 2019.

Astriti u nderua me “Çmimin e Karrierës”.


Astriti kishte një jetë të pasur krijuese, si autor i 17 librave, shkrimeve të shumta, poezive dhe reflektimeve.

Kolegët, ish-kolegët dhe miqtë e kujtojnë Astritin si një njeri me pak fjalë, shumë pasione, përkushtim, kuriozitet dhe thellësi mendimi.

“Ai njihej nga të afërmit si një njeri me fjalë pak, por me mendjen e një filozofi dhe shpirtin e një poeti. Një njeri i një kohe tjetër, një intelektual i qetë që nuk pushoi së shkruari”, thuhet në njoftimin e përgatitur nga familja për largimin e tij nga jeta.

Ai lë pas bashkëshorten, vajzën dhe familjen e saj, vëllezërit dhe motrën e tij. Djali i tij ndërroi jetë para disa vjetësh.

Ne ish-kolegët e tij të Zërit të Amerikës, do ta ndjejmë humbjen e tij.

Nderimet e fundit për nder të Astritit do të bëhen të martën më 10 shtator, ndërsa varrimi më 11 shtator./VOA

ME TE LEXUARAT