Mbi etnonimin “shqiptar”, si një fenomen endemik në gjuhët europiane

Aktualitet

Mbi etnonimin “shqiptar”, si një fenomen endemik në

Emërtimi “shqiptar” (prej këtej edhe “Shqipëri”) i njohur e shqiptuar si i tillë vetëm nga shqiptarët, përbën një rekord më vete dhe e tejkalon emrin “magyar” dmth. “hungarez”, prej nga rrjedh edhe “Magyarország” dmth “Hungari”, me të cilin hungarezët pagëzojnë vendin e tyre e që si pasojë përbën edhe bazën për bartësit e tij.

Emër (sipas një prej teorive rrjedh nga emri që bartet nga hungarishtja e vjetër: Mogyër) me origjinë nga njëri nga fiset gjysëm-nomade që u shpërngulën nga stepat e Uraleve në shekujt IX dhe X, duket se vetëm një pjesë e sllavëve fqinjë kanë preferuar t’i thërrasin ata kështu, por më tej edhe arabët përreth Mesdheut ngjan se i quajnë ata po me këtë emër.

Çuditërisht as gjuhë hungro-fine si estonishtja, finlandishtja apo turqishtja (ku bën pjesë edhe vetë hungarishtja) nuk i thërrasin ata me këtë emër.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ndërkaq, interesant është fakti se perveç turqve (të cilët i njohin shqiptarët si “arnaut” e vendin e tyre si “Arnavutluk”), në hapësiren europiane nga Kaukazi deri në Portugali, e madje përqark gjithë brigjeve të Mesdheut, përfshirë arabët e berberët, nga Siria deri në Marok, Shqipërinë e njohin si: Albania (apo forma të ngjashme që nuk përbëjne dallim thelbësor si: Albanija, Albanya, Al Albanya) etj).

Ngjashmërisht ndodh me Hungarinë, por jo në masën e raportin që njeh emri “Shqipëri” e “shqiptar” në gjuhët e tjera, pasi termi “magyar”, apo “madjar” e “magjar”, përbën rrënjën e emërtimit të tyre në disa gjuhë sllave (por jo në të gjitha prej tyre, duke dalluar p.sh. mes serbishtes dhe maqedonishtes) e jo vetëm, edhe pse ky fenomen mbetet gjithsesi në minorancë.

Sidoqoftë, përpjekje për t’i njohur shqiptarët me emrin e tyre burimor janë bërë, edhe pse në kohë e me synime të ndryshme.

“Durch das Land der Skipetaren”

Mjaft të kujtojmë këtu veprën e famshme “Durch das Land der Skipetaren” (Në vendin e Shqiptarëve) të shkrimtarit të mirënjohur gjerman Karl May, botuar së pari në vitin 1892 e që më pas njohu shumë ribotime në hapësirën gjermanike (ekziston edhe vëllimi i përkthyer në shqip), i cili edhe pse nuk shkeli kurrë në trojet e tyre, megjithë pasaktësitë dhe mitet negative (por edhe pozitive) që përhapi rreth tyre, ka të paktën meritën se ishte i vetmi që përcolli në letërsinë europiane të kohës, por edhe shtypin kontinental emrin “shqiptar” e “Shqipëri”, ndërsa bota dmth. e gjithë Europa i njihte nën emrin “Albania”, si rrjedhojë; “Albanian”, “Albaner”, “albanese”, “albanaise” etj.

Vetë gjermanet (por dhe popujt e tjere gjermanikë, si holandezët p.sh. që vijojnë t’i cilësojnë shqiptarët si “albanezen”), deri në kohën e Luftës së Parë Botërore në shumicën e rasteve i thërrisnin ata si “Albanesen”, por paralelisht edhe “Albaner” dhe “Albanier”, shtuar këtu edhe raste të veçanta si ai në romanet e Karl May-it etj, siç ishin reportazhet në shtypin e tyre, ku termi “skipetar” mëtonte të sillte me pranë e në mënyrë më origjinale figurën e shqiptarit.

Këtë tendencë e hasim edhe sot madje, sidomos në shtypin e median gjermane, duke e sjellë këtë emërtim shpesh në thonjëza, çka nënkupton se nuk përbën një ekstrakt të marrë nga fjalori zyrtar i gjermanishtes, por vetëm një mjet stilistikor origjinal (edhe pse tashmë thuajse i huazuar e përdorur prej më shumë se dy shekujsh).
“Shiptar” dhe “shiftar” në ish-Jugosllavi.

Përgjatë dy shekujve të fundit e sidomos në ish-Jugosllavinë e parë e atë të dytë, për shkak të kontaktit të afërt, sllavët që i rrethonin shqiptarët ngado ku ndodheshin, me një konotacion negativ i thërrisin edhe “shiptari” ose dhe “shiftari” (për vështirësi shqiptimi).

Gjatë konstituimit të autonomisë së Kosovës dhe ngritjes së statusit të saj përfaqësues në vitet ’70, por më parë edhe pas rënies së Rankoviçit e klikës së tij në fillimvitet ’60, udhëheqësia politike komuniste shqiptare e kohës (LKK) i pati kërkuar Titos korrigjimin dmth. mospërdorimin e termave të tille me përmbajtje fyese e pezhorative, duke e zëvendësuar apo lënë në perdorim vetëm emërtimin “albanci”, sikurse e njeh zyrtarisht në fakt edhe fjalori i gjuhës serbe e kroate cilësimin për shqiptarët.

Zyrtarisht kishte një lloj tendence të tille, por siç merret me mend në qarqe jozyrtare e për qëllime që dihen, rrethe të gjera politike, shoqërore serbesh në Serbi, Kosovë e mbare ish-Federatën vijonin ta përdornin këtë term me ndërgjegje për t’i trajtuar shqiptarët gjithmonë me përçmim, paragjykim e tendencë.

Shembujt më të freskët vijojnë të na përcillen edhe nga kohët e sotme. Mjaft të kujtojmë deklaratat e Ministrit të Brendshëm serb, Aleksandar Vulin dy-tri vite më parë kur i thirri shqiptarët nën emrin “shiptari”, duke mos kërkuar ndjesë edhe pse për këtë pati ankesa e deklarata edhe nga krerët më të lartë në Kosovë e Shqipëri, e madje u pasua edhe me referenca të gjykatave serbe e grupimeve të të drejtave të njeriut, të cilët edhe zyrtarisht e ligjërisht e konsiderojnë këtë përqasje si përbuzëse e ofenduese.

Interesant është fakti se shqiptarët ndjehen të nëpërkëmbur e të përbuzur me një term që fundja i afrohet thuajse tërësisht origjinalit të shqiptuar prej tyre, aq sa Ministri Vulin këmbëngulte se “do të vijoj t’i thërras shqiptarët me emrin e tyre origjinal”.

Po ashtu njihet dhe emërtimi “arbanas”, apo dhe “arbanaš”, gjithashtu kryesisht në gjuhët fqinje sllave, por që lidhet ekskluzivisht me emrin “arbëresh” apo “arbnesh”, nga i cili grekët njohin emërtimin “arvanitas”.

“Gjerman“, “allemagne”, “nemec” – një fenomen unikal

Për t’ iu rikthyer sërish krahasimit me emrin “magyar”, duhet theksuar se fenomeni sidoqoftë nuk është kaq endemik, pasi ka dhe etnonime apo toponime të cilat variojnë në gjuhë e rajone të ndryshme, siç është për shembull vetë emri “gjerman” apo “Gjermani”.

Mjaft të kujtojmë këtu minimalisht dy nga variantet me të cilat bota sot e njeh Gjermaninë apo gjermanët: “Germany” dhe “Allemagne”.

Ata vetë ndërkaq e njohin veten si “deutsch” dhe “Deutschland” (fqinjët e tyre holandezë i njohin si “Duitsland” e në suedisht apo danisht p.sh. Gjermania njihet si “Tyskland”) çka çuditërisht përkon disi me versionin në italisht (kujto: “tedeschi”), të cilin italianët kuptohet se e kanë hasur/huazuar qysh në kontaktet e para të romakëve me fiset barbare gjermane të Rinit të Poshtëm, rajone të cilat ato edhe i patën pushtuar, ku hasën versionin antik të emrit “deutsch” që sipas vetë gjermanëve vjen nga “teutsch” ose „thiutisk“ (që do të thotë pak a shumë „i përket popullit“) shpjeguar me gjermanishten e vjetër.

Kjo përbën përjashtim nga gjuhët e tjera latine, të cilët kanë preferuar emërtimin „Allemagne“, sikurse dhe në anglisht është preferuar emërtimi jo me bazë gjermanike, për t‘i cilësuar gjermanët si „germans“ (që ka zënë rrënjë zyrtarisht sot e kësaj dite edhe tek shqiptarët në fakt).

Në një pikëpamje më të gjerë, emërtimi i gjermanëve në gjuhë të ndryshme në forma të ndryshme (kujto këtu se përveç kombeve gjermanike, sllavët në përgjithësi i njohin gjermanët si “nemce” apo “nemec”, term me të cilin dikur madje i cilësonin gjermanët në një mënyrë përgjithësuese, duke përfshirë austriakët dhe gjermanët bashkë, edhe shqiptarët, kujto këtu shprehjen e vjetër shqiptare „koha e nemces“).

Latinët kryesisht i quajnë ata “allemagne”, arabët po ashtu “allamani” e pjesa e mbetur si “germans”, “gjermanë”, duke përbëre një rekord më vetë me kahje të kundërt me fenomenin “shqiptar”, çka i bën të dyja këto etnonime sa ekzemplare, aq edhe interesante.

ME TE LEXUARAT