Lala zbulon detaje nga arrestimi i Milena Deraj: Të përfshirë janë personazhe të botës së krimit dhe drejtësisë
Zbardhen detaje nga dosja hetimore që çuan pas hekurave Milena Derajn, e cila akuzohet për mashtrim. Gazetarja Klodiana bën me dije se Deraj pretendon se është marrë peng nga anëtarë të familjes Ferracaku dhe është dërguar në Shkodër.
Sipas saj, e reja është detyruar që të bëjë një video ku deklaronte se kishte marrë një shumë prej 520 mijë eurosh nga familja në fjalë, ndërsa në këtë mënyrë pretendohej se do i bëhej shantazh sistemit të drejtësisë.
Po ashtu nga hetimet e deritanishme, prokuroria po heton përfshirjen dhe të një ish-deputeti të Kuvendit, që thuhet se është takuar me Derajn dhe familjen Ferracaku.
“Duke u ndjerë e kërcënuar për jetën e saj dhe të fëmijët së saj dhe familjes, Milena i është drejtuar policisë dhe të bëjë kallëzim. Kjo është dosje hetimore që thuhet se përfshin personazhe të botës së krimit dhe të drejtësisë.
Prokuroria flet dhe për përfshirjen e një ish-deputeti të Shqipërisë që ka pasur kontakte me familjen Ferracaku dhe me Milena Derajn. Gjasat janë që dosja të përcillet nga Prokuroria e Tiranës drejt asaj të Posaçme (SPAK).
Gjatë kohës kur u mor peng dhe u dërgua në Shkodër, u detyrua që të bënte një video me përmbajtjen; “E quajtura Milena Deraj kam marrë shumën prej 520 mijë eurosh nga Hamza Ferracaku”.
Ishte në prani të mikeshës së saj. Kjo mënyrë ishte bërë që të shantazhohej sistemi i drejtësisë që djali i Ferracakut të shpëtonte nga dënimi me burg përjetë.”, tha gazetarja Lala.