Kuvendi i Maqedonisë së Veriut nis seancë maratonë, pritet mandatimi i qeverisë së re

Aktualitet

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut nis seancë maratonë, pritet

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka nisur sot seancë maratonë, ku do të votohet formimi i qeverisë së re e dalë nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 8 majit.

Kryeministri i ri, Hristijan Mickoski dorëzoi dy ditë më parë në Kuvend përbërjen e qeverisë, e cila do të jetë një koalicion midis disa partive, si VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM.

Seanca e sotme e Kuvendit pritet të zgjasë deri në mesnatën e së dielës, ku do të diskutohet jo vetëm formimi, por edhe shumë çështje të tjera me rëndësi për vendin.

Sipas Rregullores së Kuvendit, qeveria do të zgjidhet nëse votojnë pro shumica e numrit të përgjithshëm të deputetëve.

Qeveria e re do të ketë 24 ministri, apo katër më shumë sesa përbërja e deritashme, ndërsa pjesë e saj, përveç VMRO DPMNE-së, do të jetë koalicioni VLEN, që e përbëjnë katër parti shqiptare dhe partia ZNAM, me pjesëtarë që janë ish-anëtar të Lidhjes Socialdemokrate (LSDM).

Këto parti kanë një shumicë parlamentare prej 78 deputetësh nga 120, sa numëron gjithsej Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.

Për zgjedhjen e Qeverisë së re duhet të votojnë 61 deputetë, ndërsa sipas rregullores së Kuvendit, debati nuk mund të zgjasë më shumë se dy ditë.

ME TE LEXUARAT