Investimi në Zvërnec, Rama me gazetarët evropianë: Protesta është e drejtë themelore, kam marrë pjesë edhe vetë në…

Në një takim me gazetarë në Kryeministri dhe përfaqësues të mediave nga vendet e Bashkimit Europian, kryeministri Edi Rama deklaroi se e konsideron protestën si një të drejtë themelore demokratike dhe se edhe ai vetë ka marrë pjesë në protesta në të kaluarën.
Ai solli në kujtesë edhe ngjarjet e vitit 2011, duke thënë se gjatë asaj proteste u vranë katër protestues me armë nga godina e institucionit ku ai ndodhej në atë kohë, duke e cilësuar atë si një nga momentet më të rënda në historinë politike të vendit.
“Për mua është një epokë ndryshe, një moment ndryshe në histori, dhe është vërtet diçka shumë e mirë që njerëzit të protestojnë pa asnjë problem. Kjo për mua është një arritje për të cilën shqiptarët kanë luftuar gjatë, jo vetëm gjatë komunizmit, por edhe pas tij,” u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se protesta aktuale është nxitur, sipas tij, nga një akt dhune i ushtruar nga një roje sigurie ndaj një protestuesi, në kufirin e një territori ku prej më shumë se një jave vijojnë reagimet publike.
Ai shtoi se pas incidentit janë marrë masa të menjëhershme, duke përfshirë arrestimin e drejtorit të policisë, shkarkimin e njësisë që nuk ndërhyri në kohë për të parandaluar ngjarjen, si dhe vendosjen nën hetim të kompanisë private të sigurisë, të cilës i është hequr edhe licenca.
Sipas Ramës, videoja e incidentit është bërë virale dhe ka ndezur reagime të forta publike, duke hapur një debat të gjerë mbi pronën, zhvillimin dhe mënyrën e menaxhimit të situatës nga autoritetet.


