Abuzimi në grup me të miturën, Prokuroria e Lezhës kërkon 46 vite burg për 5 autorët

Aktualitet

Abuzimi në grup me të miturën, Prokuroria e Lezhës

Prokuroria e Lezhës ka kërkuar 46.8 vite burg në total për 5 personat e vënë në akuzë për përdhunimin e një 15- vjeçareje në fshatin Tarazh të Mirditës.

Konkluzionet përfundimtare janë lexuar nga prokurori Ylli Pjeternikaj, i cili ka kërkuar dënimin me nga 15 vite burg për shtetasit Artan Kaçorri, Albert Molla, Ermal Tarazhi dhe Nikë Lleshi, si dhe 10 vite burg për shtetasin me iniciale A. GJ.

Por duke qenë se iu është pranuar gjykimi i shkurtuar, atyre iu zbritet 1 e 3-a e dënimit. Nga hetimet e kryera, organi i akuzës ka dalë në konkluzionin se 5 personat kanë konsumuar elemente të veprës penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë, me të mitur të moshës 14-18-vjeç”.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Tashmë do të jetë pala mbrojtëse, e cila do të paraqesë konkluzionet e saj dhe më pas trupa gjykuese, e kryesuar nga gjyqtari Artan Hajredinaj, do të japë vendimin për 5 të pandehurit.

Artan Kaçorri, Albert Molla, Ermal Tarazhi, Nikë Lleshi dhe shtetasi me iniciale A. Gj. u arrestuan në muajin maj 2021 nga Policia, pas denoncimit të babait të një vajze 15-vjeçare, i cili pretendonte se përmes shantazhit, vajza e tij është përdhunuar me dhunë nga 5 personat.

Referuar dosjes hetimore, rezulton se me datë 16.05.2021, babai i vajzës është paraqitur në Komisariatin e Policisë Mirditë, duke deklaruar se bashkëshortja e tij i ka gjetur një aparat telefonik celular vajzës së mitur dhe pasi kanë hapur celularin, kanë konstatuar se kishin disa komunikime telefonike në aplikacione të ndryshme me shtetasit në fjalë, duke krijuar bindje se vajza e saj kishte kryer marrëdhënie seksuale me ta.

Nga hetimet e kryera pas dëshmisë së vajzës, rezulton se personi i parë që ka abuzuar me të miturën është 32-vjeçari Artan Kaçorri dhe më pas personat e tjerë.

Kaçorri, i cili është i martuar, kishte arritur që të mashtronte të miturën e ta merrte në makinë e më pas ka abuzuar seksualisht me të, ndërsa e ka shantazhuar se dinte shumë gjëra për të dhe do t’ua shpërndante të tjerëve, nëse nuk do të kryente sërish marrëdhënie seksuale e më pas, me të njëjtën mënyrë shantazhi, kanë vepruar edhe personat e tjerë që, sipas vajzës, kanë abuzuar me të.

Pas disa kohesh, shqetësimin e vajzës kishin arritur ta kuptojnë edhe familjarët e saj, ndërsa përballë kërcënimeve të vazhdueshme, edhe e mitura më në fund kishte vendosur të rrëfejë atë çfarë i kishte ndodhur.

Ndërkohë, vetë personat e arrestuar dhe familjaret e tyre i kanë mohuar në vazhdimësi akuzat, duke akuzuar familjarët e vajzës për inskenim me qëllim përfitimi dhe prishje të reputacionit të tyre. Ngjarja e cila ndodhi në fshatin Tarazh të Mirditës, tronditi mbarë opinionin publik dhe u shoqërua me protesta në disa qytete të Shqipërisë.

ME TE LEXUARAT