Hapi bagazhet e udhëtarit dhe grabiti orën e shtrenjtë, arrestohet punonjësi i aeroportit të Rinasit
Një punonjës i aeroportit të Rinasit, përgjegjës për ngarkimin dhe shkarkimin e bagazheve ka rënë në prangat e policisë, pas grabitjes së një orë në një prej çantave të udhëtarëve. Sipas bluve, bëhet fjalë për 24 vjeçarin K.Q, i cili grabiti orën me vlerë 20 mijë euro.
“Rinas Vodhi një orë të shtrenjtë, në një prej bagazheve të udhëtarëve, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 24-vjeçari, punonjës për ngarkim-shkarkimin e bagazheve, në vendqëndrimin e avionëve në Rinas. Sekuestrohet ora me vlerë rreth 20 000 euro.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Rinas, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, pas kallëzimit të depozituar nga një 30-vjeçar, se kushëririt të tij, i cili kishte udhëtuar nga Rinasi drejt Athinës, i kishin vjedhur një orë të kushtueshme të cilën e mbante në bagazhet e tij dhe vjedhjen e së cilës ai e kishte konstatuar në momentin kur kishte arritur në Athinë, menjëherë kanë organizuar punën për dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorit të dyshuar.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Si rezultat i veprimeve operative dhe procedurale të kryera nga Seksioni për Hetimin e Krimeve, u arrit të identifikohet si autor i kësaj vjedhjeje, shtetasi K. Q., me detyrë punonjës i sektorit të ngarkim-shkarkimit të bagazheve, në vendqëndrimin e avionëve. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit K. Q., 24 vjeç, banues në Krujë, me detyrë punonjës për ngarkimin dhe shkarkimin e bagazheve, në aeroportin e Rinasit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua ora e dyshuar e vjedhur, me vlerë rreth 20 000 euro. Materialet i kaluan Prokurorisë.”