GJKKO jep vendimin për grupin e Laert Haxhiut, dënohen Artan Tafani dhe Kristi Bixheku

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur vendimin për Artan Tafanin dhe Kristi Bixhekun, të dy të përfshirë në dosjen e grupit kriminal të drejtuar nga Laert Haxhiu.
Tafani, i cili ka bashkëpunuar me drejtësinë në cilësinë e të penduarit, është dënuar me 2 vite e 4 muaj burg. Ndërkohë, për Kristi Bixhekun gjykata vendosi një dënim prej 3 vite e 6 muajsh heqje lirie, i cili u reduktua në 2 vite e 4 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, Bixheku rezulton i përfshirë në dy episode të vendosjes së lëndës plasëse ndaj pronës së Bujar Turkut në Lushnjë, ngjarje të ndodhura në nëntor dhe dhjetor të vitit 2022. Për një tjetër episod që lidhej me sigurimin e kushteve për vrasjen e Genci Hidës, gjykata e shpalli atë të pafajshëm.
Nga ana tjetër, Artan Tafani akuzohej se kishte siguruar kushtet dhe mjetet për ekzekutimin e Rexhep Ginës në korrik të vitit 2022, në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të grupit.
Sipas SPAK, aktiviteti kriminal i grupit të strukturuar u zhvillua nga prilli i vitit 2021 deri në maj të vitit 2023, ndërsa organizator dhe drejtues i tij konsiderohet Laert Haxhiu. Të pandehurit u gjykuan për vepra penale që lidhen me grupin e strukturuar kriminal, shkatërrimin e pronës me eksploziv dhe sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjeve.