Gjeniu i letrave shqipe feston sot ditën e lindjes, sa vjeç mbush Ismail Kadare

Aktualitet

Shkrimtari i madh Ismail Kadare feston sot 86-vjetorin e lindjes. Kadare u lind më 28 janar të vitit 1936 në lagjen Palorto të Gjirokastrës së gurtë. Vokacioni i tij për letërsinë zuri fill që në moshë të hershme, kohë kur djalosharit Kadare do t’i linte mbresë të pashlyeshme leximi i tragjedisë “Makbethi” të autorit anglez, William Shekspir. Në vendlindje do të qëndronte deri në përfundimin e arsimit të mesëm, kur përgatiti për botim ciklin e tij të parë me poezi “Frymëzimet djaloshare” (1954). Mandej, u vendos në Tiranë, ku kreu studimet e larta në degën e Gjuhë-Letërsisë dhe u diplomua për “Mësuesi”.

Në harkun e viteve  1958-1960, Kadare thelloi studimet e tij në domenin e letërsisë në Institutin “Maksim Gorki” në Moskë. Në vitin 1960, i detyruar t’i braktiste studimet për shkak të ndërprerjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe ish-Bashkimit Sovjetik, u kthye në atdhe dhe nisi angazhimin në gazetari.

Në vitin 1963, pas një retushimi të herëpashershëm, u botua romani i tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i cili pati jehonë edhe përtej vendit. Tematika e natyrës liridashëse të shqiptarëve që vërehet në këtë vepër,  do të ishte kryefjalë edhe e romanit “Kështjella”, botuar në vitin 1970. Në këtë rrjedhë, autori u frymëzua edhe për shkrimin e romanit “Krushqit janë të ngrirë”, i cili flet mbi demonstratat e vitit 1981 të shqiptarëve të Kosovës.


Megjithatë, pena e Kadaresë nuk do t’i kursente as kritikat ndaj traditave prapanike të shoqërisë, siç rrok romani “Kronikë në gur” (1970). Në vargun e publikimeve të pandërpera, romani alegorik “Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave” (1981), veçohet si më i lakuari në tërësinë e veprës së Kadaresë. Në vjeshtën e vitit 1990, Kadare u largua drejt Francës dhe u rikthye në atdhe pas zhvillimeve të para demokratike.

Merr lajme ekskluzive në Viber

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Viber duke klikuar këtu.

Që prej vitit 1996, shkrimtari shqiptar është anëtar i asociuar (përjetësisht) i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës. Ai është vlerësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare (“Man Booker Prize”, “Princi i Asturias” etj), si i përzgjedhur në radhët e shkrimtarëve botërisht të njohur, sikurse Gabriel Garcia Marquez, Günter Grass dhe Milan Kundera. Deri më tani, veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të botës.

Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit”, si edhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.


Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi sot kopjen e dorëshkrimit të romanit të tij të parë, “Qyteti pa reklama” (u shkrua që në vitin 1959, por mbeti në dorëshkrim dhe u botua pas viteve ’90), dhuruar DPA-së nga autori më 24 maj, 2002./ATA

ME TE LEXUARAT