Gërryente gjatë natës me mjete të rënda shtratin e lumit Mat, arrestohet 32-vjeçari
Një 32-vjeçar është vënë në pranga pasi është kapur duke gërryer gjatë natës shtratin e lumit Mat, me qëllim nxjerrjen e inerteve. Bëhet fjalë për të riun me inicialet R. N. 32 vjeç, banues në Lezhë.
Referuar njoftimit zyrtar të Policisë, 32-vjeçari u kap në flagrancë, e ndërsa janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 kamionë dhe 1 ekskavator.
Nga ana tjetër, vijojnë hetimet për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
“Gërryente gjatë natës, me mjete të rënda, shtratin e lumit Mat, me qëllim marrjen e kundërligjshme të inerteve, arrestohet 32-vjeçari.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Sekuestrohen 2 kamionë dhe 1 ekskavator.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, të mbështetura nga inteligjenca informative, për një rast të krimeve mjedisore, pranë lumit Mat, kanë organizuar menjëherë punën për përcaktimin e autorësisë së këtij rasti, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të tij.
Nga kontrollet e zhvilluara edhe gjatë natës, u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi R. N. 32 vjeç, banues në Lezhë, i cili po gërryente me mjete të rënda (kamionë dhe ekskavatorë), shtratin e lumit Mat, me qëllim marrjen e inerteve, në kundërshtim me ligjin.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 kamionë dhe 1 ekskavator që dyshohet se përdoreshin për këtë veprimtari të kundërligjshme.
Vijojnë veprimet hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë, për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Gjithashtu, kontrollet vijojnë në zonën bregdetare, në zonat e mbrojtura si dhe në çdo terren të qarkut, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme”.