Genc Tafili sfidon drejtësinë shqiptare, kërkon azil në Gjermani

Aktualitet

Genc Tafili sfidon drejtësinë shqiptare, kërkon azil në

Ndërkohë që Prokuroria e Krujës ka dërguar në Ministrinë e Drejtësisë kërkesën për ekstradimin në Shqipëri të Genc Tafilit, ky i fundit ka vendosur të sfidojë drejtësinë tonë.

Që në momentin e arrestimit të tij në Frankfurt, natën e ndërrimit të viteve, Tafili mësohet se ka nisur negociatat me autoritetet gjermane për të bllokuar pikërisht kthimin e tij në burg në vendin tonë.

Të dhënat bëhen me dije nga mbrojtja e vendosjes nën akuzën e vrasjes së ishkryepolicit të Shkodrës, Arben Zylyftari. Në fakt këtë akuzë Tafili nuk e ka pranuar asnjëherë, ndonëse ai u dënua me 25 vite burg për atë ngjarje, të dyshimtë dhe të kontestuar prej më shumë se 20 vitesh.

Merr lajme ekskluzive në Viber

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Viber duke klikuar këtu.

Genc Tafili, kreu 18 vite burg dhe me një kërkesë në Gjykatën e Krujës ai e fitoi lirinë me kusht, por më pas Prokuroria nisi betejën me Gjykatën duke e mposhtur dhe duke kërkuar që Tafili të rikthehej në qeli për të shlyer dënimin prej 3.3 vitesh burg të mbetura.

Kërkesa për azil
Kërkesa për ekstradim mësohet se është depozituar në Ministrinë e Drejtësisë, e cila do ta nisë në drejtim të Gjermanisë duke iu kërkuar lejimin e ekstradimit të Tafilit. Por, prej më shumë se dy javësh, për Tafilin është nisur një dosje e plotë në drejtim të Gjykatës së Frankfurtit nga ku mësohet se janë listuar një sërë arsyesh të faktuara që nuk duhet të lejohet ardhja në Shqipëri.

Sipas informacioneve që disponon gazeta “Panorama” bëhet me dije se një prej kërkesave të mbrojtjes lidhet me mbajtjen në mënyrë të padrejtë në qeli të Tafilit për një krim që ai nuk e ka kryer. Po ashtu, pretendohet se gjykimi ndaj tij është bërë në shkelje të hapura procedurale, ndërkohë vetë Tafili ka pretenduar se në vendin tonë atij i rrezikohet jeta.

Po ashtu, mësohet se arsye tjetër e listuar në dosjen e tij është edhe hasmëria e hapur me një familje në Shkodër, hasmëri që sipas tij ka tentuar t‘i godasë edhe nipin në Suedi vite më parë, ndërkohë që ai dhe vëllai i tij, Admiri ishin në burg!

Burimet sqarojnë se Tafili ka dëshmuar para autoriteteve gjermane gjithçka ka ndodhur përgjatë gjithë procesit gjyqësor ndaj tij në Shqipëri dhe burgosjen e padrejtë për shkak se ai nuk e ka kryer vrasjen e ish-zyrtarit të lartë të Policisë së Shkodrës.

Sipas të dhënave, autoritetet gjermane kanë dokumentuar gjithë dëshminë e tij dhe kanë nisur edhe shqyrtimet e fakteve për të justifikuar kërkesën e tij për të qëndruar në Gjermani.

Genc Tafili u arrestua mesditën e 2 gushtit të 22 viteve më parë, ditën kur Policia e Shkodrës i rrethoi banesën dhe në atë operacion fatal i mbeti i vrarë i ati i tij, Bahri Tafili dhe po ashtu në rrethana krejt të pashpjegueshme u vra edhe Arben Zylyftari, ishdrejtori i Policisë së Shkodrës që mori pjesë në operacion.

Policia dhe Prokuroria fajësuan Genc Tafilin për atë vrasje, paçka se ai kurrë nuk e pranoi!/ Syri.net

ME TE LEXUARAT