Dosja e SPAK, Berisha miratoi VKM për HEC-et që të përfitonte dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi mori mbi 81 mijë euro
Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion mori pak ditë më parë të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha për akuzën e korrupsionit lidhur me procesin e privatizimit të klubit të futbollit Partizani.
Gjatë thirrjes për t’iu komunikuar akuza, dy prokurorët e çështjes Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, i dhanë kryetarit të Partisë Demokratike edhe dosjen e plotë e cila përbëhet nga 499 faqe.
Në dosjen që Top Channel disponon theksohet se familjet Berisha dhe Malltezi kanë përfituar të ardhura nga njëra-tjetra
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Në listën e SPAK, renditen pagesat që Jamarbër dhe Argita Malltezi kanë bërë për familjen Berisha.
Në të listohen pagesa për shërbime shëndetësore, borxh financiar për Shkëlzen Berishën dhe detyrime që ish-kryeministri i ka pasur një studioje ligjore jashtë vendit ku po bën mbrojtjen e tij pasi u shpall ‘non grata’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në harkun kohor të 10 viteve, familja Berisha, por edhe fonacioni për Fëmijët Shqiptarë, kanë marrë dhjetëra pagesa nga Jamarbër Malltezi dhe bashkëshortja e tij Argita Malltezi.
Një prej këtyre rasteve është ai i Hidrocentralit të Ashtës dhe të tjerë hidrocentrale që pasi merrnin licenca nga VKM-të e lëshuara nga kryeministri në atë kohë Sali Berisha, kalonin mijëra euro në llogaritë personale të Jamarbër Malltezit në banka të ndryshme të Tiranës.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, historia mes Sali Berishës dhe firmës “Österreichische Elektrizitätsëirtschafts-Aktiengesellschaft” nis më 17 tetor të vitit 2008, kur ish-kryeministri miraton një VKM për ndërtimin, pronësinë, shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e projektit të një hidrocentrali të ri në Ashtë, ndodhur në Bushat të Shkodrës.
Sipas vendimit numër 170 datë 18.12.2012 Bordi i Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë (ERE) prapë me urdhër të Sali Berishës vendos të miratojë edhe marrëveshjen e shitjes së energjisë mes KESH sh.a dhe Energji.
Ish-kryeministri Sali Berisha në atë periudhë deklaronte se Hidrocentrali i Ashtës nuk e cenonte mjedisin.
Në dosje shkruhet se “Përgjatë viteve konstatohet se shtetasi Ardian Shehu, për llogari të një marrëdhënie të shoqërisë Energji Ashta si më sipër të krijuar dhe të projektit të mësipërm rezulton se paguan shtetasin Jamarbër Malltezi si vijon:
Në vitin 2008 në llogarinë e Jamarbër Malltezit , Adrian Shehu ka derdhur 18.900 Euro
Në vitin 2009 në llogarinë e Jamarbër Malltezit, Adrian Shehu ka derdhur 8.820 Euro
Në vitin 2010 në llogarinë e Jamarbër Malltezit, Adrian Shehu ka derdhur 25.754 Euro
Në vitin 2011 në llogarinë e Jamarbër Malltezit, Adrian Shehu ka derdhur 12.1290 Euro
Në vitin 2012 në llogarinë e Jamarbër Malltezit, Adrian Shehu ka derdhur 7.985 Euro
Në vitin 2012 në llogarinë e Jamarbër Malltezit Adrian Shehu ka derdhur 5.760 Euro
Në vitin 2013 në llogarinë e Jamarbër Malltezit Adrian Shehu ka derdhur 2.220 Euro”.
Në total janë 81,595 euro të marra nga Jamarbër Malltezi.
I pyetur nga hetuesit e SPAK më 03.04.2024, Adrian Shehu në emër të firmës së Hidrocentralit të Ashtës, është përgjigjur se e njeh prej kohësh Jamarbër Malltezin dhe duke qenë se ishte Pedagog i Universitetit Bujqësor të Kamzës, dhe ka qenë në grupin e punës për vlerësimin dhe ndikimin në mjedis të hidrocentralit të Ashtës.
“Shtetasi Ardian Shehu, i pyetur përgjatë këtij hetimi, me datë 03.04.2024, ka deklaruar se shtetasin Jamarbër Malitezi e njeh prej shumë vitesh, në projekte të ndryshme bashkëpunonte me specialistë të ndryshëm, por kryesisht i besonin më shumë pedagogëve dhe shtetasi Jamarber Mallëzi ka qenë pedagog në Universitetin Bujqësor të Kamzës.
Ky shtetas ka qenë në grupin e punës për raportin e vlerësimit të ndikimit në Mjedis Hidrocentrali i Ashtës, i cili ndodhet në Shkodër, pjesë e grupit që ka bërë vlerësimin në mjedis kanë qenë shumë shtetas të tjerë specialistë të fushës, ku giithësecili përgatiste atë pjesë të raportit që lidhet me fushën e vet. Në këtë projekt janë paguar nga VEVE Group me të cilën kanë patur dhe punë të tjera dhe projekte të tjera në Shqipëri. Ku përsëri me VEVE-në kanë punuar për vlerësimin mjedisor të kapacitetit që mund të kishte Drini i Zi për prodhimin e energjisë elektrike.
Me shtetasin Jamarbër Malltezi kanë bërë disa punë në fushën e mjedisit dhe nuk e kujton me saktësi vitin por së bashku me të dhe shtetasin Lirim Selfo krijuan një shpk që të punonin bashkarisht me emrin ‘Mjedisi dhe Zhvillimi i qëndrueshëm’ të cilin e kanë mbyllur brenda muajit për shkak të komenteve politike që u bënë në lidhje me hapjen e kësaj shoqërie.
Sqaron në lidhje me pagesat e bëra shtetasit Jamarbër Malltezi duke pretenduar se pagesat nga Veve Group kryheshin në emër të Ardianit, si përfaqësues i cili edhe ka lidhur kontratën me VEVE Group dhe pasi merrte këtë pagesë, Ardiani ia shpërndante anëtarëve të tjerë të grupit që kane marrë pjesë në hartimin e raportit për vlerësimin e mjedisit.
Gjithashtu edhe pagesa të kryera shtetasit Jamarbër Malltezi për projektin Devolli, sqaron se kanë punuar për llogari të VEVE Group. Për projektin e vlerësimit në mjedis punonin si grup. Pagesën e merrte vetëm Ardiani dhe jua kalonte pjesëtarëve të tjerë të grupit. Kryesisht vlerësimi kryhej nga një grup pedagogesh të cilët ishin nga Shkencat e Natyrës, Kamzës dhe Fakulteti Gjeologii Minierave”, theksohet në dosjen e SPAK.