Arrestimi i shefit të Rrugores, Roven Zeka/ SPAK sekuestron pamjet filmike në Bllokun e Sigurisë!
SPAK ka sekuestruar pamjet filmike në Bllokun e Sigurisë ku ndodhet pas hekurave shefi i Rrugores, Roven Zeka. Ka dyshime se zyrtarë të policisë kanë marrë kontakt me Roven Zekën.
Shefi i Qarkullimit Rrugor u vendos në pranga më 19 Prill me urdhër të SPAK. Prokuoria e Posaçme lëshoi urdhërarrest edhe për shefin e sektorit të Aksidenteve, Sokol Novaku, si edhe për Oficerin e Policisë Gjyqësore, Edison Tabaku. Ndaj tyre është ngritur një akuzë për korrupsion dhe që ka lidhje, në fakt, me një ngjarje të rëndë, ku janë mbuluar pasojat e një aksidenti ku nga përplasja e dy automjeteve, pesë persona kanë përfunduar në spital, ngjarje ndodhur disa javë më parë.
Referuar të dhënave të bëra publike nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me operacionin e kryer nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit u mësua se tre zyrtarët e Policisë Rrugore të Tiranës dyshohet se morën ryshfet për të mbyllur çështjen në rrugë, ndërkohë që asnjë institucion nuk bën me dije se çfarë ka ndodhur me 5 qytetarët e plagosur në atë përplasje mes dy automjetesh me datë 16 prill.
Gjatë seanës në Gjykatën e Posaçme, më 22 Prill, mësohet se Roven Zeka është shprehur se ai është një oficer karriere në radhët e Policisë së Shtetit, ndërsa oficerit Sokol Novaku nuk i janë pranuar argumentet për një masë më të butë sigurie për shkak të rrethanave familjare.
Dy shefat e Rrugores kanë deklaruar se ata kanë zbatuar procedurën standarde duke referuar materialet në prokurori për drejtuesen e aksidentit. Ata kanë mohuar dijeninë apo përfshirjen e tyre në veprimet dhe mos veprimet e oficerit Edison Tabaku. Në urdhrin e ndalimit të lëshuar nga prokurorja Elida Kaçkini evidentohej se të 3 punonjësit e policisë janë transferuar në Tiranë nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan ku kanë shërbyer më parë.
Të tre efektivët akuzohen se kanë kërkuar dhe marrë pagesën 2 mijë euro nga biznesmeni E. V., për të mos i arrestuar bashkëshorten që kishte shkaktuar një aksident më 16 prill. Arrestimet u bënë më 19 prill, menjëherë pas zbulimit të rastit, teksa Prokuroria ka zbardhur nëpërmjet përgjimeve edhe bisedat dhe aferën korruptive./panorama