Aksidentoi për vdekje një 59-vjeçar dhe u largua nga vendi i ngjarjes, arrestohet 35-vjeçari në Kurbin
Një 35-vjeçar është arrestuar në Lezhë pasi aksidentoi për vdekje një qytetar në aksin rrugor "Mbikalimi i Patokut-Laç".
Mësohet se i riu me iniciale pas ngjarjes është larguar ndërsa ka rënë në prangat e policisë pas 17 ditësh.
Njoftimi i policisë:
Vihet në pranga autori i aksidentit me pasojë vdekjen, i ndodhur më datë 29.05.2025. Kapja e tij u bë nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale. Në vijim të veprimeve hetimore për dokumentimin ligjor të aksidentit rrugor me pasojë vdekjen e një 59-vjeçari, pas identifikimit dhe shpalljes në kërkim të autorit të dyshuar, kanë vijuar kërkimet për kapjen dhe vënien e tij në pranga.
Si rezultat i sigurimit të informacionit dhe bashkëpunimit ndërmjet strukturave të Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe shërbimeve të DVP Lezhë, u bë e mundur lokalizimi në Tiranë dhe ndalimi i autorit, shtetasit T. N., 35 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi më datë 29.05.2025, në aksin rrugor “Mbikalimi i Patokut–Laç”, ka aksidentuar me pasojë vdekjen shtetasin F. H., 59 vjeç, banues në Kurbin, dhe pas aksidentit është larguar nga vendngjarja. 35-vjeçari u ndalua në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.