"Na pret një periudhë e vështirë", Vuçiç: Presim presion nga SHBA dhe BE që Serbia të njohë Kosovën

Kosovë&Rajon
"Na pret një periudhë e vështirë",

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se mund të pritet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me Bashkimin Evropian, të bëjnë presion ndaj Serbisë për të njohur Kosovën në periudhën e ardhshme.

Pas një takimi të Partisë së tij Përparimtare Serbe, Vuçiç tha se Serbinë e pret një “periudhë e vështirë”, gjatë së cilës do t’iu ekspozohet “të gjitha presioneve, fushatave dhe të pavërtetave të mundshme”.

“Është e rëndësishme të kuptohet pesha e pozitës në të cilën jemi sidomos tani, pas ndryshimit në administratën amerikane.

Duhet të pritet presion i përqendruar i BE-së dhe SHBA-së mbi Serbinë, për të përmbushur kërkesat për, siç e thonë hapur amerikanët, njohjen e Kosovës… ndërsa, BE-ja do të përdorë një fjalor pak më ndryshe, por do të shkojë drejt të njëjtit qëllim”, tha Vuçiç.

Ai tha se në takimin e partisë së tij janë analizuar edhe rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë dhe se Lista Serbe ka arritur “dominim absolut” në mesin e serbëve në veri të Kosovës. Ajo ka pasur një rezultat pak më të dobët në mjediset në jug të Lumit Ibër, tha Vuçiç.

“Do të marrim hapa dhe masa që, me mjete demokratike, t’i kundërvihemi dhunës së subjekteve politike shqiptare, që abuzojnë me përfaqësues të caktuar serbë…

[Udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti thotë se dëshiron të flasë vetëm me disa serbë nga Kosova, e jo me Beogradin, në mënyrë që të mund të thotë se Kosova është e pavarur.

Populli serb e ka kuptuar këtë dhe kjo është arsyeja përse e ka votuar Listën Serbe në atë masë. Por, jo të gjithë në bashkësinë ndërkombëtare do ta kuptojnë lehtë këtë”, tha Vuçiç.

ME TE LEXUARAT