“Kanë hyrë në borxhe”, BIRN: Shpenzimet e kurimit për Covid-19 po sakatojnë familjeve shqiptare!

Aktualitet
“Kanë hyrë në borxhe”, BIRN: Shpenzimet e kurimit

Mijëra familje shqiptare po vuajnë jo vetëm nga sëmundja COVID-19, e cila ka sakatuar ekonominë dhe ka shkaktuar deri më sot së paku 1681 të vdekur, por edhe nga shpenzimet e konsiderueshme të lidhura me blerjen e pajimeve farmaceutike apo për kryerjen e analizave, të cilat në përgjithësi kryhen në sektorin privat.

Shoqata “Together for Life”, një organizatë shqiptare kreu disa dhjetëra intervista me familje të personave të prekur nga sëmundja dhe zbuloi se kostot e mëdha të lidhura me kurimin rëndojnë buxhetet e një pjese të madhe të familjeve.

Raporti vëren gjithashtu se sistemi aktual i qeverisë për rimbursimin e ilaçeve të të sëmurëve me Covid-19 është i pamjaftueshëm dhe i cunguar.

Sipas raportit, vendimi i qeverisë për rimbursimin e shpenzimeve të të sëmurëve “nuk përfshin në rimbursim analizat laboratorike dhe ekzamimet imazherike për diagnostikim dhe monitorim të ecurisë klinike të pacientit.”

Kostoja më e lartë duket se lidhet me nevojën për të kryer analiza të shumta, që të gjitha të kryera nëpër qendra diagnostikimi private ku analizat më bazë për trajtimin e sëmundjes mund të kushtojnë sa një rogë mujore.

“Kostot e diagnostikimit, në rastet kur nuk bëhen nga sektori publik, arrijnë në 35-70 mijë lekë të reja me një mesatare prej 41 mijë lekësh,”

Raporti vëren se numri i testimeve nga sektori publik në Shqipëri është i ulët se se shpesh qytetarët i drejtohen sektorit privat për të kryer testimin për konfirmim diagnoze pasi janë të sëmurë, me një kosto që në kohën e studimit kushtonte 12 mijë lekë.

Shqipëria autorizoi laboratorët privatë gushtin e kaluar të kryejnë testime për qëllime administrative, pra për rastet kur qytetarët duan të udhëtojnë dhe në kufi u kërkohet një test negativ.

Por në shumë raste testimet në sektorin privat po paguhen nga qytetarët jo aq shumë për efekt dokumentesh udhëtimi se sa si pasojë e testimeve të pakta të sektorit publik.

Përveç konfirmimit të diagnozës, qytetarëve u kërkohet të kryejnë analiza të ndryshme për të parë parametrat shëndetësorë, përfshirë analiza të njohura si D-Dimer, PCR etj., të cilat kushtojnë sëbashku rreth 11 mijë lekë.

Për më tepër ka shumë raste kur qytetarët duhet t’i nënshtrohen diagnostikimit me skaner, i cili kushton 15 deri në 25 mijë lekë.

Arsyeja kryesore e kryerjes së analizave në sektorin privat është aksesi i ulët dhe koha e gjatë e pritjes për kryerjen e analizave më sektorin publik.

“Që të kryesh një analize gjaku specifike në poliklinikat e Tiranës sipas sistemit të referimit dhe të rezervimit, duhet të presësh një muaj. Të kryesh një skaner -CT duhet të presësh më gjatë. Kështu që pacientët janë të detyruar të kryejnë këto ekzaminime në institucionet shëndetësore private,”

Në Shqipëri aktualisht është zhvilluar një treg i konsiderueshëm pajisjesh mjekësore si dhe shërbimesh në shtëpi për të sëmurët me Covid-19. Shqipëria ka një nga normat më të ulëta të hospitalizimit, gjë që sugjeron se një pjesë e mirë e shqiptarëve zgjedhin të kurohen në shtëpi.

“Sipas statistikave botërore, 10% e personave të prekur me Covid kanë nevojë për kujdes spitalor,” vëren raporti duke nënvijëzuar se norma e hospitalizimit në Shqipëri është vetëm 3 për qind, gjë që sugjeron se një numër i konsiderueshëm të sëmurësh qëndrojnë në shtëpi edhe kur duhet në fakt të shtrohen në spital.

Kostot e trajtimit janë veçanërisht më të rënda për të sëmurët nga rrethet pasi menaxhimi i pandemisë në Shqipëri u krye në spitale të pozicionuara në Tiranë.

Duhet theksuar se shumica e pacientëve që ndodhen në stadin e parë, të dytë apo të tretë të infektimit, pasi kryejnë ekzaminimet fillestare, trajtohen më pas në kushte shtëpie, ku shpeshherë bëhen shkak edhe për infektimin e pjesëtareve të tjerë të familjes.

“Trajtimi në shtëpi, duke blerë barnat dhe çdo nevojë tjetër si puls-oksimetër, oksigjeno-terapi, e të tjera, po u kushton pacientëve dhe familjeve shqiptare pothuajse të ardhurat mujore vetëm të një jave për një pacient, duke i vënë seriozisht në vështirësi financiare”, përfundon raporti duke vënë sërish theksin në pasojat e keqmenaxhimit të fondeve publike shëndetësore.

ME TE LEXUARAT