7 mënyra efikase për të mos e krahasuar më veten me "idealet ( e dëmshme) të bukurisë"

Soft
7 mënyra efikase për të mos e krahasuar më veten me

Në frymën e përmirësimit të imazhit të trupit tonë dhe ndjenjës për më të mirën për veten, le të flasim për disa strategji që mund t’ju ndihmonë të dilni nga ky zakon, ndonjëherë i dobishëm, por shpesh shumë i dhimbshëm.

1 – Mos e lidhni vetëvlerësimin vetëm me pamjen tuaj fizike

Shoqëria mund të krijojë perceptimin se pamja juaj vjen para gjithçkaje dhe është e para në listë. E vërteta është se,  për njerëzit që ju duan dhe “iu bëhet vonë” për ju, pamja nuk është aspak e para në listë.

Nëse dyshoni në këtë, përpiquni të mendoni për njerëzit e rëndësishëm në jetën tuaj dhe pyesni veten: "Çfarë vlerëson ky person tek unë?” Nëse përgjigja e parë që ju vjen në mendje është: “Pamja ime”, është koha ta rimendoni atë marrëdhënie. Ju  meritoni më mirë se aq!

2 – Bëhuni ju “gjykatësi” i asaj që është apo jo e bukur

Është koha të rimerrni fuqinë dhe të përcaktoni një përkufizim për “bukurinë”, siç do e donit ju.

Ne nuk duhet të jemi në përputhje me ca standarte joreale bukurie. Kjo, sepse, shumica e këtyre standarteve janë të pamundura të arrihen.

Përdorni energjinë që mund të dëshironi të shpenzoni për të krahasuar veten me disa imazhe të edituara në rrjete sociale, për të bërë diçka që ju bën të ndiheni mirë me veten. Zgjidheni vetë se çfarë, por zgjidhni mirë.

3 – Kuptoni si funksionon truri juaj

Ne priremi të besojmë atë që shohim. Nuk ka rëndësi nëse informacioni është i rremë, ne do ta besojmë nëse nuk kemi arsye për të mos e bërë.

Fuqia e arsyetimit dhe e të menduarit kritik mund të jetë e dobishme këtu. Është si të shohësh një shfaqje magjike - duket interesante, duket reale, por nga ana njohëse, ti e di që nuk është ashtu. Pse e di këtë?

Sepse e di si funksionon magjia, e di që është një iluzion.

Përdorni këtë fuqi të të menduarit kritik në avantazhin tuaj. Shkoni në rrjetet sociale, ose kudo ku ka diçka “të rreme”, dhe mendoni në mënyrë aktive për “mashtrimin magjik” (për shembull: FaceApp, photoshop etj).

4 - Kufizoni sasinë e kohës që kaloni në platforma që shkaktojnë prirjen tuaj për të krahasuar

Rrjetet sociale janë shpesh mekanizmi i vetëm që kemi për t’u lidhur me njerëzit në jetën tonë, por jini të kujdesshëm me kohën që shpenzoni aty, sepse në një pikë do ta keni të vështirë të ndani realitetin nga virtualja.

Mos harroni se: Rrjetet sociale janë një vend ku shumica e njerëzve (përfshirë dhe ju) përpiqen të portretizojnë veten e tyre më të mirë.

5 – Kushtojini vëmendje vetes/mendimeve

A keni vënë re se keni tendencë të krahasoni veten me njerëz të tjerë, që kanë “trupin tënd ideal”? A janë më të këqija ditët kur krahason veten me të tjerë, sesa ditët kur bën diçka për veten, që e ke qejf? A ka faqe specifike në internet ose njerëz që ju bëjnë të ndiheni më keq për veten tuaj? Vini re “modelin” që keni krijuar dhe bëni rregullime.

6 – Rrethohuni dhe “ndiqni” njerëz që ju bëjnë të ndiheni mirë

Këta individë priren të jenë burime të mira të objektivitetit përballë një bote plot me imazhe të stisura. Të keni njerëz në jetën tuaj që promovojnë një mënyrë ndryshe të të menduarit, mund t’ju bëjë të ndiheni më pak të vetmuar në përpjekjet tuaja për të luftuar “presionet sociale”.

7 – Bisedoni pozitivisht me veten

Kur të jeni përpara një pasqyre, fokusohuni tek e gjithë pamja juaj, jo vetëm te ajo gjë që nuk ju pëlqen. Provoni të thoni diçka pozitive për mënyrën se si dukeni dhe vlerësoni gjithçka që trupi juaj bën për ju.

Përqendrimi në funksion më shumë sesa në pamjen e jashtme bën dy gjëra: Ju kujton atë që është e vlefshme për trupin tuaj dhe ju tërheq vëmendjen nga përqendrimi në ato që ju i perceptoni si “të meta fizike”.

ME TE LEXUARAT