Dyshohet se kreu vrasje në Amerikë, Gjykata e Shkodrës merr vendimin për Arben Bregun

Aktualitet
Dyshohet se kreu vrasje në Amerikë, Gjykata e Shkodrës merr

Shkodër – Gjykata e shkallës së parë ka vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për Arben Bregun, 50-vjeçari i dyshuar për një vrasje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në 2 qershor të 2020-ës Arben Bregu u arrestua në Shkodër me qëllim ekstradimin e tij drejt Amerikës, pas një operacioni të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë në ambasadën amerikane, njësisë speciale policore “Joint Shield”, Interpol Tirana dhe Interpol Washington.

Ai qëndroi në paraburgim për më shumë se 7 muaj, deri në 17 janar të këtij viti kur Gjykata e Apelit vendosi lirimin e tij pasi ishin tejkaluar afatet për ekstradimin e 50-vjeçarit drejt SHBA-ve. Arben Bregu ka pasur një proces për ekstradimin dhe në 23 shtator Gjykata e Apelit në Shkodër pranoi kërkesën për ekstradim.

50-vjeçari përmes avokatit mbrojtës nuk bëri rekurs në Gjykatën e Lartë duke pranuar kështu vendimin për ekstradimin e tij. Gjatë kohës që qëndroi në paraburgim Arben Bregu ka telefonuar disa herë ambasadën amerikane që të ekzekutohet vendimi i ekstradimit drejt SHBA-ve por Ambasada dhe Interpol Washington nuk kanë vepruar. Pasi kanë kaluar muajt nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar kur vendimi për ekstradim konsiderohet i ekzekutueshëm Arben Bregu për shkak të mosveprimit për ekstradim dhe kalimit të afatit bëri një kërkesë për ta pritur i lirë ekstradimin drejt Amerikës, e parashikuar në ligj.

Në këtë mënyrë në 17 janar Gjykata e Apelit në Shkodër vendosi lirimin e të burgosurit Arben Bregu për të pritur i lirë ekstradimin. Pas këtij vendimi, 6 ditë më pas, më 23 janar, 50-vjeçari u arrestua edhe njëherë për të dytën herë për të njëjtën çështje për të cilën ishte liruar pak ditë më parë, esktradimin drejt SHBA-ve. Dy ditë pas arrestimit për herë të dytë që pala mbrojtëse e Arben Bregut e cilëson si absurde duke qenë se gjykata është shprehur një herë për atë çështje, më 25 janar, shkalla e parë me kërkesë të prokurorisë vendosi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Arben Bregun por me mbikëqyrje policore brenda në shtëpi.

Tashmë në Gjykatën e Apelit, avokati mbrojtës do të kërkojë heqjen e mbikëqyrjes policore në mënyrë që Arben Bregu gjatë kohës që është në “arrest shtëpie” të presë ekstradimin drejt Amerikës për nisjen e procesit gjyqësor për veprën penale të vrasjes për të cilën dyshohet atje, ngjarje e ndodhur në Duval të Floridas në vitin 2013 ndërsa në 2016-ën gjykata e katërt në Duval e shpalli fajtor, një vendim i cili nuk është përfundimtar.

ME TE LEXUARAT